Teksa vijojnë punimet për restaurimin e kalldrëmeve në Pazarin e Gjirokastrës, në pjesën përballë godinës së Këshillit të Qarkut është vërejtur një punë jo e mirë. Pjesë të caktuara të atij kalldrëmi nuk janë si në gjendjen e mëparshme.
Për këtë ka reaguar edhe ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe njëherazi deputete e qarkut. Kumbaro pranon problemin, por thotë se dëmtimi i kalldrëmit ka ardhur për shkak se Bashkia Gjirokastër ka lejuar kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë. Ajo i bën thirrje bashkisë që të tregohet më bashkëpunuese me kompaninë dhe ustallarët.
“Dua të tërheq vëmendjen sidomos të Bashkisë Gjirokastër, që të jetë bashkëpunuese me kompaninë dhe ustallarët me qëllim që të mos lejohet qarkullimi i automjeteve ndërkohë që kantieri është i hapur, por edhe që duhet të punojë për të përgatitur komunitetin dhe tregëtarët që Qafa e Pazarit të bëhet përfundimisht këmbësore. Nuk ka kuptim që në një anë punohet e në anën tjetër policia bashkiake u hap udhë automjeteve të rënda”, thotë Kumbaro ndër të tjera.
Më poshtë reagimi i saj i plotë për këtë cështje.
😊 Javë e re po merak i njohur:
Edhe një herë për kalldrëmet e Gjirokastrës, fiksimin e gjirokastritëve por edhe timin.
👉🏻Javën që shkoi doli një sëkëlldi e re:
një pjesë e kalldrëmit , para zyrave të Këshillit të Qarkut, që ishte riparuar pjesërisht para 3 javësh, duket se ka çaluar në “qëndisjen” e gurëve dhe padyshim kjo na shqetëson, sidomos kur shohim nga ana tjetër, se me sa kujdes po bëhet kalldrëmi në të gjithë Qafën e Pazarit, ku mjeshtra nga Gjirokastra e Berati, po punojnë gur, gur për ta bërë rruazë.
👉🏻 Në përgjigje të mesazheve që kam marrë nga miq gjirokastritë, kontaktova përgjegjësit e kompanisë zbatuese të projektit të cilët më shpjeguan se pikërisht në atë pjesë të kalldrëmit, që do duhej të ishte i bllokuar për qarkullimin e makinave derisa të mbyllej procesi i punës, kanë kaluar makina të tonazhit të rëndë dhe kjo ka sjellë dëmtim të pjesshëm të kalldrëmit ende të pastabilizuar.
📍Natyrisht që ajo pjesë e kalldrëmit të dëmtuar do të shqepet dhe do të bëhet sërish nga e para, dhe do të garantohet pa dyshim cilësia dhe fortësia, njësoj si në pjesën tjetër, ku çdo ditë admirojmë punën e ustallarëve duarartë.
🔴 POR, dua të tërheq vëmendjen sidomos të Bashkisë Gjirokastër, që të jetë bashkëpunuese me kompaninë dhe ustallarët me qëllim që të mos lejohet qarkullimi i automjeteve ndërkohë që kantieri është i hapur, por edhe që duhet të punojë për të përgatitur komunitetin dhe tregëtarët që Qafa e Pazarit të bëhet përfundimisht këmbësore.
❗️Nuk ka kuptim që në një anë punohet e në anën tjetër policia bashkiake u hap udhë automjeteve të rënda.
Të dashur miq🙏🏻
Është e domsdoshme që të jemi të gjithë bashkëpunues e mirëkuptues për të mirën e projektit më të madh të restaurimit që është bërë në #Gjirokastër, nëse e duam vërtet cilësinë e punës. Nuk mbrohet puna vetëm duke sharë e fyer në fejsbuk ata që punojnë, e ca më keq duke fërkuar barkun djallëzisht kur një gur shkon shtrembër, por duke qenë konstruktiv e bashkëpunues në terren.
😊Ndjek çdo ditë punimet e kalldrëmeve në Gjirokastër, sepse është punë delikate, por edhe sepse, tashmë prej 3 vjetësh, Qafa e Pazarit është kthyer në një tablo të bukur që restaurohet si në një laborator të hapur ku marrin pjesë:
✅ mjeshtrat e ustallarët të cilëve nuk u ndihet zëri po u shihet puna,
✅ gjirokastritët që duhet të jetojnë çdo ditë me sfidën e kantierit në zemër të qytetit,
✅ turistët që megjithatë nuk i ndalin shëtitjet e tyre dhe fjalët e mira për qytetin që magjeps,
✅ të gjithë ne që i nisëm, i projektuam, i investuam por dhe kemi padyshim përgjegjësinë t’i mbikqyrim dhe t’i ndjekim projektet deri sa të bitiset me sukses kjo punë, siç mbyllëm mbarë e bukur edhe fasadat, çatitë e objektet e Pazarit,
✅ në fund, natyrisht edhe të pakënaqurit e përjetshëm që mezi presin të gjejnë qimen që pastaj të shtyjnë kohën në fejsbuk për ta bërë tra.
Por në fund të gjithë duam më të mirën për Gjirokastrën edhe kur e marrim nga pak inat njëri tjetrin😊
📍Gjirokastra mbi të tëra! Kjo duhet të na bashkojë!🤝
Punë të mbarë dhe mirënjohje pa fund për duart e arta të mjeshtrave dhe punën e tyre që s’ka çmim!
Atyre u përulem🙏🏻
Me poshte:
– fotot janë nga kantieri në proces i kalldrëmeve e trotuareve, bashkë me mjeshtrin e kalldrëmit, usta Drini Gjoni dhe të mirënjohurin Spiro Bezhani, mjeshtri që u njeh kalldrëmeve dhëmbë e dhëmballë 😊
– 2 fotot e fundit jane nga kalldrëmi i demtuar që do shqepen e do ribëhen.