Qeveria do të kompensojë të gjithë të dëmtuarit nga përmbytjet. Kjo gjë u bë me dije nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Komitetit të Menaxhimit të Emergjencave. “Ka mbaruar emergjenca e motit dhe ka nisur faza e dytë: Reagimi ndaj pasojave në çdo aspekt”, tha Rama.
“Sa na takon ne, do të bëjmë maksimumin siç kemi bërë herën e shkuar që nuk kemi lënë askënd pa kompensuar deri në fund për dëmet që kanë pasur. Është shumë e rëndësishme të bashkëpunohet ngushtësisht me prefektet dhe pushtetin vendor”, vijoi Rama.
Megjithatë, kryeministri tha se kjo situatë nuk mund të vazhdojë gjithmonë kështu. Ai shtoi se sigurimi i banesave dhe biznesit nga fatkeqësitë natyrore do bëhet i detyrueshëm me ligj. Sipas Ramës, ne jemi i vetmi vend që nuk sigurohemi nga fatkeqësitë natyrore.
“Përparësi është marrja e nismës ligjore për sigurimin e banesave dhe bizneset nga përmbytjet. Duhet sensibilizuar të marrin masa të sigurohen nga fatkeqësitë natyrore në mënyrë që dëmet e tyre të kompensohen plotësisht dhe në kohë reale në bazë të këtij mekanizmi,” tha Rama.
“Tani është momenti për të çuar para fazën e dytë, atë të kapërcimit të pasojave në radhë të parë për familjet e prekura dhe sigurisht edhe për ato pjesë të infrastrukturës që janë jetike për lëvizshmërinë dhe garantimin e vazhdimit të jetës normale. Fakti i shembjes së një numri të konsiderueshëm urash flet qartë për potencialin katastrofal të situatës nëse shumë investime mbrojtëse nuk do të ishin bërë në këto dy vjet, por e kemi parë se ka pika të dobëta ku duhet ndërhyrë me përparësi”, u shpreh kryeministri