Prokuroria e Krimeve të Rënda ka reaguar përmes një deklarate pas publikimit të përgjimeve të tjera nga gazeta gjermane ‘Bild’ për blerjen e votave në Dibër. Më poshtë deklarata e Donika Prelës.
Nisur nga publikimet audio te bera sot me date 17.06.2019 ne gazeten gjermane Bild, Prokuroria e Krimeve të Rënda njofton se ka filluar veprimet hetimore për verifikimin e elementëve të veprës penale të “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete” të parashikuar nga neni 295/a i K.Penal.
Po bëhet verifikimi me shpejtësi i të gjitha akteve hetimore dhe të CD-ve të përgjimeve me qëllim verifikimin e autenticitetit të audiove të publikuara.
Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron, se po ndjek me kujdes situatën e paprecedent të krijuar që ka cënuar rëndë imazhin e Prokurorisë Shqiptare dhe që është kryer në shkelje flagrante të ligjit.