Kanë përfunduar punimet për ndërtimin e lotit të parë në aksin i cili lidh Çorovodën me qytetin e Përmetit. Rruga, një investim i Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka tashmë të gjitha parametrat e nevojshëm duke ofruar më tepër siguri për të gjithë përdoruesit e saj. Ky aks ju vjen në ndihmë jo vetëm banorëve të këtyre qendrave, por edhe turistëve të shumtë të cilët i vizitojnë ato.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi ecurinë e punimeve.
“Segmenti ka një gjatësi rreth 5 kilometra. Është një investim që ka filluar në vitin 2017 dhe ka përfunduar para afatit. Ka një vlerë rreth 10 milionë euro, me gjerësi rruge 6 metra, mure pritës në krahun e djathtë rreth 3.7 kilometra dhe mure mbajtës 500 metra. Gjithashtu është ndërtuar edhe ura e Lapanit me gjatësi rreth 40 metra, e gjitha me konstruksion metalik”, u shpreh inxhinieri i firmës kontraktuale.
Balluku vlerësoi investimin e bërë duke theksuar se ndërtimi i këtij segmenti rrugor lidh dy zona me potenciale të mëdha për zhvillimin edhe më tej të turizmit.
“Kjo është një rrugë shumë e rëndësishme sepse është një rrugë që lidh dy qytete, pra Çorovodën dhe Përmetin, dhe siç e kemi thënë shpesh herë gjatë inspektimeve tona është e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të të gjithë vendit lidhja përmes qendrave ekonomike, përmes qyteteve sepse kështu krijohen dhe shkëmbimet tregtare dhe lehtësojmë jetën e të gjithë qytetarëve të këtyre zonave”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se rruga Çorovodë-Përmet, është një investim në mbështetje të strategjisë kombëtare të zhvillimit të turizmit, të hartuar nga Qeveria Shqiptare, dhe se do të ndikojë në rritjen e numrit të vizitorëve të cilët tashmë do të kenë një infrastrukturë rrugore me standardet e duhura.
Krahas rrugës, në një prej pikave të saj është bërë e mundur edhe ndërtimi i një belvedere duke ju dhënë mundësi të gjithë vizitorëve ndaluar dhe parë një pjesë të pejsazhit që ofron kjo zonë./