“PD disponon të dhëna se nën drejtimin e njeriut të Edi Ramës, Helidon Bendo, të paktën 9 ish oficerë dhe operativë të Sigurimit të Shtetit janë emëruar në poste shumë të larta drejtuese në kundërshtim me ligjin”. Kështu deklaroi sot deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj. Në një dalje tek selia blu, ai publikoi edhe emrat e tyre.
“1- Rafail Milo: ish oficer i Sigurimit të Shtetit. Nga inspektor, ai emërohet Drejtor i Departamentit të Administratës në SHISH. Ka në varësi Drejtorinë Juridike dhe atë Ekonomike.
2- Qerim Dedja: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor emërohet drejtor i Drejtorisë së Sigurisë
3- Mevlud Matraku: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, punëtor operativ, kryesisht në Sarandë. Nga inspektor, është emëruar Drejtor i Performancës. Bën vlerësimin e të gjitha drejtorive të linjës informative operative.
4- Vladimir Elezi: ish punëtor operativ i Sigurimit të Shtetit është emëruar Drejtor në SHISH në Elbasan.
5- Gëzim Bime: ish oficer i Sigurimit të Shtetit nga inspektor, emërohet Drejtor kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit (drejtori e rëndësishme në punën operative)
6- Ilir Tafa: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, emërohet Drejtor i Drejtorisë SHISH, në Durrës. Vëllai i tij është Afrim Tafa, ish Drejtor Policie, i cili është në listat e punonjësve të policisë, i implikuar në trafikun e drogës.
7- Sokrat Mite: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor, emërohet zëvendësdrejtor i Departamentit të Kundërzbulimit.
8- Agim Karralli: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor, emërohet Drejtor i Drejtorisë SHISH Tiranë.
9- Rinald Serhani: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, emërohet Drejtor në SHISH”.
“Për dy emrat e parë, Autoriteti i Dosjeve ka zbuluar dokumentacion të mjafteshëm që i bën ata të papërshtatshëm për promovimin në detyrë, ndërsa për 7 të të tjerët, ka prova të qarta në dojet e tyre personale në SHiSH se kanë qenë oficerë të shërbimit sekret të diktaturës. Sot kam një pyetje për çdo qytetar shqiptar: A besoni se rendi, drejtësia, siguria mund të garantohen nga njerëz që dikur na kanë torturuar dhe na kanë masakruar, na kanë mbajtur të izoluar si në kafaz? Partia Demokratike është e bindur se përgjigja e shumicës së shqiptare pergjigjen me një Jo të fortë! Sigurimi i Shtetit nuk mund të na japë as drejtësi, as rend dhe as siguri! Shërbimi më i mirë që sot mund t’i bëjmë vendit është të largojmë pa humbur kohë arkitektin e qeverisjes me Sigurimin e Shtetit!” tha Alibeaj.