PD Gjirokastër kërkon ‘tepsi’, Bejko thirrje për Zamira Ramin: Shkarko drejtorët e PS-së, emëro njerëzit tanë (VIDEO)


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Partia Demokratike në Gjirokastër nuk ka më durim me Zamira Ramin dhe LSI-në. Sot kryetari Roland Bejko, i ka bërë thirrje publike kryebashkiakes, për të ndarë pushtetin në Bashkinë Gjirokastër. E thënë më thjeshtë, për të ndarë ‘tepsinë’ e pushtetit në nivel lokal. Zakonisht llogaritë apo pazaret për ndarje të pushtetit bëhen në mënyrë diskrete mes palëve politike.

Vendet e punës në shtet, koncensionet dhe tenderat mes PS-PD-LSI dhe gjithë partive të tjera ndahen si plaçkë lufte larg syve të publikut, por në këtë rast kreu i PD Gjirokastër guxon pak më shumë duke folur publikisht. Sot në përfundim të mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ai i ka bërë thirrje Zamira Ramit të shkarkojë drejtorët e PS-së dhe pushtetin ta ndajë me njerëzit e PD-së.

“Kam një thirrje për Bashkisë e Gjirokastër dhe LSI-në. Ta ndajnë mendjen. Jo një dorë në bakllava dhe një në revani. Ose në koalicion lokal me socialistët, ose në koalicion me PD-në. Thirrje ime për kryetaren e bashkisë është kjo: Do të vazhdojë të drejtojë bashkinë me drejtorët socialistë që i kanë ngelur që nga koha kur ishin në koalicion, apo do të bëhet një konfigurim tjetër sepse po vijnë zgjedhjet dhe do të kërkohet një mandat i ri nga koalicioni tonë; PD-LSI”, u shpreh Bejko.

Thirrja publike e Bejkos sot nuk është ndonjë mëkat i madh në moçalin politik të Shqipërisë. Kemi parë edhe raste më flagrante. Thjesht na rikonfirmon edhe njëherë se këtu të gjitha subjektet politike (PS, LSI, PD…) janë parti tepsie. Kur janë në opozitë sillen ndryshe, kur janë në pushtet sillen ndryshe, por në thelb janë parti tepsie që trajtojnë vendet e punës në shtet si trofe lufte.

Përtej atyre që predikojnë në emër të popullit, në emër të interesit publik, këto parti duan thjeshtë ‘tepsinë’. Megjithatë kreu i PD Gjirokastër ka meritën që kërkesën për ‘tepsi’ e bëri hapur, para kamerave, ditën për diell. Tani le të presim se cilën pjesë të ‘tepsisë’ do të lëshojë Zamira Rami për njerëzit e PD-së. Më poshtë deklarata e plotë e Roland Bejkos.

©ArgjiroLajm.net