Partizani, pas 3 ditëve pushim iu është rikthyer përgatitjeve për ndeshjen e radhës që do të zhvillojë me skuadrën e Luftëtarit. Të kuqtë e trajnerit Skënder Gega janë në një formë mjaft të mirë, ndërsa përgatitjet e sotme janë zhvilluar në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmes.
Por, grupi i të kuqve nuk është i plotë dhe i tillë do të jetë edhe për pak ditë. Pesë nga futbollistët e skuadrës së kuqe janë grumbulluar me përfaqësueset e moshave respektive, duke filluar që nga Alban Hoxha, Rubin Hebaj, Esat Mala, apo dhe Livio Malaj e Besnik Ferati.
Nesër, skuadra e kuqe do të zhvillojë dy seanca stërvitore, ndërsa trajneri Skënder Gega po mban me “këmbë në tokë” grupin e lojtarëve të gatshëm. Të kuqtë kanë një ecuri mjaft të mirë, kanë krijuar stabilitet në lojë dhe rezultate, ndërsa me përjashtim të humbjes në javën e parë në Korçë, në të gjitha sfidat e tjera kanë marrë rezultate pozitive, kryesisht fitore.