Parlamenti Europian voton kundër ndryshimit të orës


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Parlamenti Europian ka mbështetur propozimin për t’i dhënë fund ndryshimit të detyrueshëm të orës të dielën e fundit të tetorit dhe të marsit. Propozimi i votuar nga europarlamentarët i jep të drejtën çdo shteti anëtar të BE-së që, duke filluar nga viti 2021, të zgjedhë nëse do të mbajë orën dimërore apo orën verore.

Sipas një direktive të Bashkimit Europian, të dielën e fundit të muajit mars ndryshohet ora për të kaluar në orarin veror, kurse të dielën e fundit të Tetorit në orarin dimëror.

Ishte Komisioni Europian që vitin e kaluar bëri propozimin për t’i dhënë fund ndryshimit të orës, në bazë të rezultateve të një sondazhi. 84% e të anketurave u shprehën pro heqjes së ndryshimit të orës, shumica e të cilëve ishin gjermanë.

Deputetët europianë dhe KE theksojnë se shtetet e BE duhet të bashkërendojnë zgjedhjet e tyre se cilën orë do të mbajnë, për të minimizuar humbjet ekonomike të tregtisë që mund të shkaktohen nga sistemet e ndryshme të kohës.

Gjithashtu, disa studime shkencore sugjeruan se ndryshimet e orës dy herë në vit kanë pasoja negative në shëndetin e njerëzve.