Tensione në Kuvend. Nënkryetari demokrat, Edi Paloka spërkati me bojë me shiringë kryeministrin Edi Rama. Paloka i shpëtoi vëmendjes së punonjësve të Gardës dhe në momentin kur në foltore ndodhej kreu i PR, Fatmir Mediu, nënkryetari i PD i afrohet kryeministrit duke hedhur bojë. Shenjat e bojës duken në pjesën e fytyrës së Edi Ramës si në ballë, mjekër dhe në xhaketë. I menjëhershëm ishe reagimi i kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili kërkoi përjashtimin e Palokës nga Kuvendi.
Paloka refuzoi të lërë ulësen e Kuvendit dhe Ruçi vendosi ndërprerjen e seancës deri në nxjerrjen jashtë Kuvendit të nënkryetarit demokrat. Gjithçka ka ndodhur në prani të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi. Gjithçka nisi pas ndërhyrjes së Ramës i cili i kërkoi ndjesë Xhaferit për fjalimin e kryedemokratit, Lulzim Basha.
Ndërkohë, pas këtij veprimi ka reaguar edhe Partia Demokratike duke sqaruar se veprimi i Palokës erdhi si shenjë reagimi për shkak të talljeve të vazhdueshme nga ana e Ramës për të mënyrën e të folurit të nënkryetarit demokrat, duke ushtruar bullizëm ndaj tij. “Edi Paloka e gjuajti me bojë Edi Ramën, pasi ky e talli në mënyrë të përsëritur për shkak të mënyrës së të folurit. Gjuatja me bojë është mospranim i bullizmit të ushtruar nga kryeministri për të cilin është dëshmitar i gjithë opinion publik“, thuhet në reagimin e PD.