Tregu i ri Industrial i Gjirokastrës u përurua në mesin e muajit korrik të vitit që shkoi. Investimi qindra milionë lekë i Bashkisë Gjirokastër u prezantua si një model suksesi dhe kryebashkiakja Zamira Rami pati deklaruar se do niste menjëherë punën për ndërtimin e tregut të fruta-perimeve.
Por pa kaluar disa muaj nga inagurimi, tregu është larg të qenit një investim me standarde e kushte të përshtatshme për shitësit dhe blerësit. Që në dimrin e parë, çatia e tregut fut ujë brenda. Argjirolajm.net sjell një video të xhiruar sot në ambientet e brendshme të tregut, ku siç shihet, çfarë bie jashtë futet brenda.
Tregtarët kanë vendosur kova apo enë të tjera për të mbledhur ujin që derdhet nga çatia. Në një situatë të tillë, atyre jo vetëm që u dëmtohet malli, por largohen edhe klientët. Askush nuk mund të ndalet në raftet e tyre kur nga sipër kullon uji. Ky nuk është investimi i parë pa standarde nga Bashkia Gjirokastër. Kujtoni rrugët e kalldrëmta që të çojnë në ‘Kodrën e Rilindasve’.
Disa muaj pas inagurimit, rrugët kishin marrë një pamje krejt tjetër. Investime të tilla gjysmake nuk i shërbejnë publikut, por ngelen thjesht tendera që çojnë para në kompanitë private, shpesh herë edhe klienteliste. Mos i shpërdoroni në këtë mënyrë paratë e taksapaguesve! Kini së paku një fije ndërgjegje për të bërë një punë të mirë nga fillimi deri në fund.
©Argjirolajm.net