Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama porositi njerëzit e tij që pavarësisht largimit të opozitës nga Parlamenti, të vijojë puna normalisht me të gjithë axhendën përgatitore të PS-së përsa i përket zgjedhjeve të ardhshme vendore të 30 qershorit, por edhe me jetën parlamentare në seancë plenare. Në një kohë kur opozita ka njoftuar një protestë para Parlamentit të enjten, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla u shpreh maxhoranca do jetë në Kuvend për të votuar dy ligje të rëndësishme.
“Puna vijon normalisht. Kemi për të votuar dy vendime të rëndësishme që lidhen me Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), të cilat do të miratohen nga Kuvendi”, tha Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Në mbledhjen që zgjati rreth një orë, është diskutuar edhe për kongresin e thirrur nga socialistët për më 23 mars, kur pritet të shpallen edhe kandidatët e kësaj force politike për 61 bashkitë e vendit. Të enjten, opozita ka lajmëruar se do të mbahet protesta e radhës me synim bllokimin e Kuvendit nga i cili opozita u largua. Protesta pritet të mbahet njëkohësisht me seancën e Kuvendit.