Pamë sot në Gjirokastër dhe Dropull dy ish-deputetët, Tritan Shehu e Vangjel Tavo, dy kryetarët e PD-LSI, Dasho Aliko dhe Krenar Kulla, si dhe mbështetës të tjerë të tyre që tentuan të hynin brenda KZAZ-ve. Natyrisht që opozita e rrugës, është në të drejtën e vet të protestojë dhe këtu ka plot arsye për të protestuar, përfshi sigurisht edhe keqqeverisjen. Teksa i degjoje duke folur përpara oficerëve të policisë dhe kryetarëve të KZAZ-së në Gjirokastër e Dropull, të gjithë kishin të njëjtin shqetësim; dekretin e Presidentit Ilir Meta për 30 qershorin.
Gjirokastra dhe Dropulli sot kishin kaq shumë ‘dashnorë’ dekretesh si asnjëherë më parë. Po u digjet barku për ligjin; Vangjelit, Tritanit, Dashos dhe Krenarit e të tjerëve. Të jeni të sigurt që as nuk u plas fare, as për ligjin, as për dekretin e Metës dhe sigurisht as për pallatin e sportit.
Mendoni pak, pallati i sportit si gërmadhë në mes të Gjirokastrës, gëlon nga aktivitetet dhe lojërat, por na e paskan zënë kriminelat e Edvin Kristaq Ramës që duan të bëjnë zgjedhje. Prandaj mbërritën Robin Hood-at e opozitës për t’ia kthyer popullit. Shumë nga ata që ishin sot në para pallatit të sportit as që nuk e dinë çfarë është dekreti, le më pastaj që nuk pati një të tillë nga Presidenti.
Ilir Meta bëri çdekretim të datës së zgjedhjeve në shkelje flagrante të Kushtetutës. Tritan Shehu, Vangjel Tavo, Krenar Kulla e Dasho Aliko nuk janë aty si shpëtimtarë të ligjit dhe interesit publik. Janë thjesht për ineteresa personale, për pushtetin e tyre. Sigurisht janë në të drejtën e tyre të mbrojnë edhe interesat personale për aq kohë sa ato i kanë të ligjshme, por jo përmes dhunës dhe akteve vandale.
Nuk ka nevojë Gjirokastra, Dropulli dhe gjithë Shqipëria për dhunë, për akte që mbjellin pasiguri dhe vrasin perspektivën. Fatmirësisht sot nuk pati të tilla. Le të shpresojmë se s’do të ketë as nesër. Rrëzojeni Edi Ramën me votë në vitin 2021, mos i vini flakën Shqipërisë. Nëse shumica e shqiptarëve do të ishin me ju, nuk do të dilnin nëpër sheshe një grusht njerëzish. Nëse Gjirokastra do të ishte me ju, sot pallati i sportit do të ishte i rrethuar.
Ata që ju vijnë pas janë thjesht militantët që i ka çdo parti si grup i gatshëm dhe ish zyrtarë të rënë nga vakti që presin të kapin sërish ofiqe publike për të vjedhur. Shqiptarët nuk janë të kënaqur me Edi Ramën dhe qeverisjen e tij, por nuk shohin shpresë as tek ju, prandaj ju kanë braktisur. Ky është udhëkryqi më i madh i këtyre 28 viteve demokraci në Shqipëri. Se si do të dalim prej tij, askush nuk di ta thotë. Por përmes dhunës natyrisht që jo. Opozita duhet të bindë shqiptarët të jenë më të sepse ajo është ndryshe nga Edi Rama dhe nuk do të qeverisë si ai. Kjo është sfida e saj, jo të djegë shkolla e të marrë pallate sportesh si trofe të një beteje imagjinare.
©argjiroja.net