Notis Sfakianakis për herë të parë në Shqipëri. A duhet të shkojmë në koncertin e tij?!

Nga Denis Dyrnjaja

Yxhymi turk kundër një këngëtari grek është pa sens. Në Tiranë pas pak ditësh ekzaktësisht të enjten do të performojë një nga këngëtaret më të famshëm të muzikës greke, Notis Sfakianakis.

Orët e fundit një valë dalldie e pakuptueshme dhe për më tepër e pashpjegueshme ka shpërthyer duke e etiketuar dhe anatemuar këtë legjendë të muzikës greke, si njeri ekstremist, nazist apo antishqiptar.

Nëse Notis Sfakianakis vjen në Shqipëri besoj se e di mirë se ku po vjen e përballë kujt do këndojë, ndaj kjo histeria me nacionalizma imagjinarë shqiptare dhe me armiq të kombit, nuk bën shumë sens ndërkohë që i kemi ulur brekët nga mëngjesi deri në darkë për çështje vërtetë kombëtare, që as nuk na i prish e as nuk na i rregullon një këngëtar grek. Kombëtarinë është mirë ta tregojmë aty ku duhet dhe si duhet në dinjitetin dhe prosperitetin e shtetit. Se duke qenë dinjitare si shtet e si popull edhe të huajt, madje edhe ata që janë vërtetë armiq të trajtojnë me respekt.

Arti nuk duhet përzierë me politikën, politikën le ta bëjnë politikanët, artin, artistët dhe ekstremizmin anadollakët. Personalisht nuk më pëlqen qasja që një pjesë e grekëve, serbëve apo maqedonasve kanë ndaj shqiptarëve, por kjo vetëm sa i bën ata arkaikë, të verbër dhe demode.

Të bëhemi si ata është më e thjeshta, të jemi ndryshe nga ta është diferenca. Rrëmbimi për të kapur flamurin e nacionalizmit të sëmurë vetëm se na tregon të dobët dhe na bën më të dobët në sytë e njëri tjetrit dhe në sytë e tyre që na përçmojnë. Le të mos bëhemi si ata që shajmë dhe le të mos bëhet një grek sebep pa shkak për përçarjen e shqiptarëve.

Ta presim e shoqërojmë Notis Sfakianakis me duartrokitje për muzikën dhe artin e tij, sepse në fund të fundit duartrokitjet janë një shuplakë moderne për çdo nacionalist, pavarësisht kombësisë së tij. Arti i shuan ndasitë, muzika i qetëson shpirtrat. Le t’i shuajmë edhe ndasitë e le ti qetësojmë edhe shpirtrat nën melodinë hyjnore të Notis Sfakianakis dhe perlave të tij muzikore. Të enjten në mbrëmje unë do të duatrokas për të gjitha sa thashë!