Rrëfimi i të birit për Vangjel Koçën
“Vangjel Koça u përket atyre personaliteteve, që me përpjekjet e tija u ngjit deri në atë që e theksoni edhe ju. Ai rridhte nga një familje e varfër. I ati, qe një rrobaqepës i zakonshëm. Ata në familje qenë pesë fëmijë dhe nuk kishin mundësi ekonomike. Bile ka edhe një kuriozitet të këtillë. Në kohën e Zogut, për arsye të rezultateve të shkëlqyera të Zosimesë, ku ai kish studjuar, vit për vit i dilte e drejta e bursës, në vende të ndryshmë të Europës, pasi pak shkonin në atë kohë në Itali… shumica shkonin në Francë! Mirëpo Vangjeli kish tre motra për të martuar, një vëlla e çoi për të mësuar zanatin e rrobaqepsit në Korfuz, ku ai edhe u martua dhe nuk erdhi më në Shqipëri. Kjo gjë e nervozoi Vangjelin me të vëllanë dhe një ditë i thotë të atit: “Unë nuk t’ia di se ç’bëhet me Nikon. Nikua, erdhi në 1940, këtu në Tiranë, kur mbetën keq në Greqi… Erdhi t’i kërkojë ndihmë Vangjelit. Unë di që Vangjeli nuk i dha ndonjë ndihmë të madhe, sepse aq ishin edhe mundësitë e tija. Asokohe (është fjala për kohën e Italisë), ai paguhej me 35 napolona letër, nga të cilat 17 napolona kalonin për qiranë e shtëpisë. Punonte edhe nëna ime gjithë kohës që të mbahej familja. Kështuqë ai nuk i dha ndonjë ndihmë të madhe të vëllait, dhe ai u kthye në Greqi. U vendos në Athinë dhe aty punoi si rrobaqepës. Qe edhe ai me tipare intelektuale, po asnjëherë nuk mori pjesë në hallet familjare të familjes, kështu që familja dhe tri motrat i mbeti Vangjelit. Në vitin 1935, ai u martua edhe vetë. Fejesën ia ka bërë Spiro Vinjau, i cili qe edhe daja i nënës sime. Jo tamam dajë, por kushëri i parë me gjyshen time. Megjithatë Vangjelin në Gjirokastër e donin dhe e përkrahnin të gjithë! E përkrahu edhe drejtori i Gjimnazit Thoma Papapano, i cili e pranoi aty nënën time si mësuese, megjithëse ajo kishte vetëm shkollën e mesme… Kështu ajo qe kolege me Eqerem Çabejn, me Kiço Fundon e të tjerë personalitete të kësaj shkolle. Paguhej me 10 napolona flori në muaj si pedagoge. Duke qenë mësuese në Gjimnazi e Gjirokastrës, ajo pati shumë nxënës prej atyre që më pas do përkrahnin luftën si Pirro Kondin, Teme Sejkon, Javer Malon, e plot e plot të tjerë, të cilët e respektuan gjithnjë duke ia lehtësuar të keqen e mëvonshme.
Ajo jepte lëndën e vizatimit, të muzikës, me një fjalë lëndë të dorës së dytë… Ndërsa Eqerem Çabej, kur kthehesh nga Vjena ku ishte me studime, i ati i tij, i cili ishte Kryetar Gjyqi i thoshte të birit: “Eqerem, erdhe në Gjirokastër?” Po erdha. “Mos m’u zabërhanis me çunat… (se Eqeremi kishte qenë me një klasë me Enverin…) Po ik e shko te Vangjel Koça ne Noteri, nëse do të zësh mend. Ai të jep mënd! Dhe për një periudhë të gjatë, Eqeremi shërbeu në noterinë e Vangjelit. Po kjo qe e pjessshme, sepse më vonë, kur qe në pozicione më të shëndosha, Vangjeli e ndihmoi Eqeremin, duke e dërguar në Itali, ku edhe ka shkruar veprën e tij gjuhësore. Odhise Paskali, meqënese e kishte gruan italiane, e dërgoi në Torino, tjetër… ai e ndihmoi edhe poetin Lasgush Poradecin, duke i dhënë rrogë… dhe kështu Lasgushi u vendos në Tiranë. Vërtet këto rroga nuk qenë ndonjë gjë e madhe, po për atë kohë jetohesh mirë. Kjo ka ndodhur edhe me mjaft intelektualë të asaj kohe, të cilët ai i ka përkrahur në mënyra nga më të ndryshme… Ai shkonte dhe i thoshte Jacomonit në kohën e Italisë: “Filani duhet përkrahur, Jacomoni si Mëkëmbës i Mbretit të Italisë, e dëgjonte Vangjelin, bile nëna tregonte një histori të tillë. Unë nuk kisha dëshirë të shkoja në ato drekat e darkat e mëdha, se nuk e haja dot supën. Aman ajo supa është me lëng mishi dhe ti nuk e ha??! Njëherë na kishte ftuar për darkë Jakomoni. Vajtëm tek Pallati i Brigadave, hymë në katin e parë dhe gjetëm Jacomonin dhe Dona Maian, gruan e tij. U thotë Jacomoni Erdhët! Hajde ngjitemi në katin e tretë. Se atje do të serviret darka. Mor Vangjel, i thotë Jacomoni, këta pushtetarët shqiptarë i kuptoj të gjithë, ty s’të kuptoj!!” Po pse? – i thotë Vangjeli. “Po ja, të gjithë këta janë interesuar dhe kanë ndërtuar shtëpi, kurse ti gjithmonë me qira, gjithmonë me qira. “Po, i thotë ai – kam blerë edhe unë copë një truall, në Tiranën e Re, dhe me kohë do ta ndërtoj edhe unë një shtëpi.” I thotë Jacomoni: Po nxito o Vangjel, se nuk është zor i madh për të ndërtuar. Vende ke sa të duash!” “Jo, ajo nuk bëhet – ia ktheu ai.” Kështuqë ne, sot e kësaj dite s’kemi pasur shtëpi në Tiranë.
Fan Noli erdhi nga Amerika, para votimeve të 1923, dhe ndërmori nji vizitë në gjithë krahinat e Shqipërisë. Shkoi edhe në Gjirokastër, ku u takua edhe me Vangjelin. Vangjeli në atë kohë ishte mësues në Frashtan të Dropullit, dhe aty biseduan bashkë. Fan Noli e vlerësoi shumë, si një kapacitet shumë të madh… edhe Vangjeli, pas këtij takimi u apasionua mbas Fan Nolit dhe pati përshtypjen, që Fan Noli ishte njeriu që mund ta sillte demokracinë dhe kulturën në Shqipëri. Këto qenë fiktive sipas meje. Për ç’arsye do të thoni ju? S’kishte ekonomi Shqipëria. Ekonominë mundi ta krijojë vetëm Zogu, qoftë edhe nëpërmjet borxheve që mori te Italia. Dhe e vërteta është kjo, që edhe gjatë qenies së Fan Nolit si kryeministër, veç mungesave të tjera, që pati Fan Noli, është se ai nuk pati para për ta mbajtur këtë vend, dhe nuk bëri asgjë për ta çuar përpara. Tani unë nuk mund të lë pa e theksuar, kjo është timja gjithmonë, Fan Noli nuk mendoi asnjëherë, se do të sulmohej nga Zogu dhe qëndroi pa një shtab oficerësh që mund t’i bënte një rezistencë Zogut. Gabimi i tij më i madh i tij qe, që desh të lidhej edhe me Bashkimin Sovjetik, në një kohë kur gjithë vendet e Europës, nuk e pranonin Rusinë!! Në Jugosllavi, në atë kohë qenë vendosur bijellogardistët e carit, të cilët bënin një shkollë që dikur e vazhdonin nga Rusia. Mbasi mbaruan shkollën ata mbetën pothuaj pa punë, kështu që kur u bëri thirrje Ahmet Zogu që të vinin me të në Shqipëri, ata qenë të gatshëm dhe erdhën. Një pjesë e madhe e ish oficerëve bijellogardistëve erdhën me Zogun në krye. Edhe diçka tjetër: Zogu kishte njerëzit e tij edhe në Greqi edhe në Itali. Ata erdhën të gjithë me këtë rast dhe Fan Noli u gjet krejt i papërgatitur për ta përballuar Zogun, kështu që vendosi të ikte. Në fillim rruga qe nëpërmjet Durrësit, pastaj u vendos që nga Vlora të hidhej në Itali. Këta njerëz që menduan, se kishin përgjegjësi, me mendimin se ata i kishin bërë një gjyq kundër Zogut, ku e kishin dënuar me vdekje, pra kur të vinte Zogu, menduan ata, se do t’i pushkatonte. Në këtë kohë, Vangjeli duke e pasur familjen pa ndihmë, nuk kish ku të shkonte, dhe vendosi të qëndrojë në Shqipëri. Ai punonte te firma “Ciu”, dhe te një firmë në Sarandë, duke iu bërë gjithë planet ekonomike dhe duke i mbrojtur në gjitha gjyqet, pra ai ishte jo vetëm konsulent juridik, por mbulonte gjitha veprimet e këtyre firmave. Bile prej tyre kam dëgjuar, që kemi edhe dosjet për gjithë punët që na ka bërë Vangjeli për ndërmarrjet tona… Më vonë, kam një të dhënë, po nuk e kam të sigurt, që Zogu e emëroi Vangjelin, sekretar të Prefekturës së Gjirokastrës. Më vonë ai dha provimet dhe u muar pedagog në shkollën franceze të Gjirokastrës, ku Vangjeli ka qenë së bashku me Brezhoan, bile ne e kemi pasur fotografi atë në shtëpi. Vangjeli me Brezhoan, Enveri me një djalë tjetër kur ishin ende të rinj. Më vonë ai dha provimet dhe fitoi të drejtën për noter, dhe me dekret mbretëror u emërua Prefekt i Shtetit Shqiptar. Ne e kemi pasur, lejen e noterisë të varur në shtëpi, me firmën origjinale të Ahmet Zogut.
Ai nuk e mori përsipër… Zogut ia kanë thënë… Në dasmën e Mbretit Zog qe i ftuar edhe Vangjeli. Të gjithë figurat, disi pa vlerë si Lalë Krosat e të tjerë mbreti nuk i donte në dasëm. Po ç’na bëni kështu Naltmadhni, ju po ftoni Vangjel Koçën dhe këta të tjerët që kanë qenë kundërshtarët e tu… “Pse cilët duhet të ftoj? – iu kthye mbreti – Unë ftoj njerëzit e kulturës, ata që dinë pesë gjashtë gjuhë të huaja dhe kanë brumë për të folur e dëshmuar. Në dasmën time janë gjithë figurat e njohura të Europës dhe unë s’mund të lejoj aty njerëz dosido… Nëna më tregonte se mbreti i kish dhënë urdhër Lalë Krosit se: “Të pashë në sallat e dasmës, të mori dreqi!!”
Në 1924, kur Ahmet Zogu u pa në kufijtë e Shqipërisë, të gjithë fanolistët, dhe gjithë ata që e ndjenin rrezikun, kishin kishin marrë pushkët me vete dhe shkuan në kufi. Edhe Vangjeli me një shokun e tij, Eqerem Çano nga Libohova, shkoi dhe bëri njëfarë rezistence… Po qe rezistencë e kotë, për arsye se nga ana e qeverisë nuk pati asnjë njeri. Rezistuan sa rezistuan, Zogu i theu dhe i vuri përpara… dhe nga kufiri në Peshkopi e deri në Gjirokastër, ata e bënë rrugën më këmbë, ku ngrënë e ku pangrënë. Më tregonte edhe një gjë Eqerem Çano: “Kemi kaluar në 24 dhjetor 1924, nëpër Tiranë. Qe një i ftohtë i llahtarshëm. Ne kaluam nëpër Tiranë, dhe ma ka treguar këtë ngjarje në një tjetër 24 dhjetor, qe ishte i ftohtë i madh… Ja si sot – më tha… dhe mbas nji vuajtje të patregueshme sosëm në Gjirokastër të leckosur e të dërmuar…
Vangjeli u fut në punë se i duhej të punonte e të mbante familjen. Hyri në punë te firma e Mit’hat Ciut. Mit’hat Ciu ishte pasunar dhe jepte para me interes dhe nuk lejonte që t’i merrte një person qoftë edhe një gjysëm napoloni. Kur e arrestuan xhandarët Vangjelin, për ta çuar në burgun e Krujës, ai ju thotë xhandarëve: “Më lini të shkoj në shtëpi, sa të marr ndonjë pallto dhe ndonjë para se çfarë do të hamë rrugës!! Dëgjo i thanë: “Kemi urdhër të të çojmë kështu!” Gjatë rrugës kur futa dorën në xhep – tregon Vangjeli, – kam gjetur pesë napolona flori. M’i kishte futur Mit’hati… Ja ai Mit’hat që s’ta falte një grosh, me kish futur në xhep, pesë napolona floriri!!!
Po ku qenë këta agallarët e mëdhenj që bënë qeverinë ishte edhe ai, edhe pse Vangjeli s’qe kurrë as ministër dhe as gjë tjetër. Vangjeli qe thjesht një idhtar i Fan Nolit, i bindur në kulturën dhe dijet e tij. Ai nuk gëzonte asnjë post dhe as pati ndonjë privilegj. Të gjithë ata të privilegjeve ua mbathën këmbëve. E di kush qe në atë vaporr: qe Fan Noli, Luigj, Gurakuqi, Stavro Vinjau, Sejfulla Malëshova – ja ai komunisti i mëvonshëm, qe edhe Bahri Omari, Qazim Mulleti e plot të tjerë. Shiko sa njerëzor u tregua Zogu me Bahriun. Ai iku vetëm, por Zogu pak më vonë e lejoi të shoqen dhe të birin që të shkonin të ai në Bari. Edhe Bahriun, Vangjeli e kishte mik për kokë.
Zogu, duke qëndruar në Beograd u konsultua me politikanët e huaj. “Mirë ti po e rimerr Shqipërinë, – i thanë ata – po mos ndërmerr raprezalje se nuk shkon ajo… Sillu njerëzor! Dhe vërteta është, që ai u soll i kulturuar…
Është e vërtetë se këta dy persona u konsideruan nga intelektualët shqiptarë, si personalitetet më të larta të kulturës shqiptare dhe shpesh thuhej se kulturën shqiptare e përfaqësojnë mjaft mirë këta të dy, mirëpo me ardhjen e pushtimit të italisë dhe vetvetiu kjo humbi pasi Branko Merxhani si Dojçkulturë që ishte, u largua, kurse Vangjeli mbeti dhe vazhdoi të punojë në një përiudhë të vështirë… E theksoj, Vangjeli ndihmoi mjaft për kulturën, fjala vjen ai e ndihmoi mjaft Lasgushin, që i shkruajti poezitë e tij, të cilat nuk iu vlerësuan më pas asnjëherë gjatë kohës së regjimit komunist. Lasgushi u mor me përkthimin e poetëve rusë, të cilët edhe pse nuk i kishte fort për zemër qe i detyruar t’i përkthente. E caktuan për disa kohë edhe pedagog, po ai nuk rrinte. Mua më vjen keq, sepse kam udhëtuar njëherë përballë me Lasgushin nga Tirana në Pogradec, dhe nuk i dhashë të njohur se kush isha, edhe pse e dija që im atë e kishte pasur shumë mik dhe e kishte ndihmuar mjaft. Mund të kishim bërë muhabet gjatë me Lasgushin, ndërkohë ai qëndroi gjithë atë kohë, i vetëm në Pogradec, në një vetmi e fukarallëk të skajshëm…
Me një fjalë në kulturën shqiptare për aq kohë sa ajo u vu në lëvizje, promotorë të saj ishin edhe Branko Merxhani e Vangjel Koça…
Ma kanë thënë edhe profesorë të marksizmit, që neve kur botoheshin artikujt e Vangjel Koçës e kishim festë. Se aty ne e merrnim vesh, se ç’ishte kultura botërore, dhe cilat ishin reflekset e saj në Shqipëri.
Lidhja e tyrë e mëvonshmë ka qenë vetëm ajo letër që ai i dërgoi nga Kajro, ku Brankoja, e njoftonte se kishte mbrritur në Egjipt.
Përsa i përket fillimeve të bashkpunimit mes tyre, mund të them se Brankoja qe dobët ekonomikisht, ndërsa Vangjelit, Zogu i dha mundësi të bëhesh noter, dhe si i tillë ai fitonte mjaft… mirëpo natyra e Vangjelit qe e tillë, që nuk dinte ta rezervonte pasurinë. Vangjeli ishte një përkrahës i gjithë njerzve të kulturës, edhe me botime, edhe me të holla edhe me mënyra të tjera. Në Gjirokastër, Vangjeli arriti të bëhet një figurë mjaft e njohur e qytetit, dhe është e drejtë të thuhet se përkrahej mjaft edhe nga qeveria. Bile ndodhi edhe një ngjarje e tillë. Vangjeli kishte shumë mik Et’hem Toton edhe të vëllanë e tij, Ismet Toton, që më pas e varën. I thonë Vangjelit ata: “Do bëjmë një kryengritje kundër Zogut!” U thotë Vangjeli: “Mosni, se nuk keni gjë në terezi!” “Po ne do ta bëjmë! Na erdhi ky Zogolli që nga malet, dhe po na sundon!” Mosni, – u thotë Vangjeli – se nuk keni gjë në terezi!” “Në këto momente Italia qe e bllokuar në punët e veta, bile ne do të bëjmë edhe një gjë të këtillë: do të nxjerrim edhe të burgosurit nga burgu, mbasi Ismeti kishte qenë edhe Ministër i Brendshëm, dhe ai s’e kish kapërdirë dot shkarkimin. Vangjeli u tha edhe njëherë: “Mosni mor djema, se me këtë që do bëni, do të ngatërroheni më keq. Sepse të burgosurit do të shkojnë të vrasin ata që i kanë futur nëpër burgje, prandaj kjo nuk është gjë që bëhet…!” Po ata e bënë, e bënë edhe atë që i hapën burgjet… dhe së fundi Zogu mbasi i theu, Et’hemi vrau veten, kurse Ismet Toton e vari në litar!
Sa i përket vëllait të tretë, Selaudini, qe partizan i fortë, dhe qe edhe kryetar i Institutit të Shkencave, sepse kishte mbaruar për shkenca natyrore në Itali. Ishte deputet. Enveri e shihte që s’e kishte të dorës së tij dhe e futi në burg, e dënoi dhe e pushkatoi. Prokuror i gjyqit të këtyre deputetëve qe Josif Pashko, i cili i thotë Selaudinit: “Ti atë mendje ka pasur, se ke qenë miku i Vangjel Koçës! I thotë Selaudini: “Unë kam qenë mik, apo s’kam qenë mik, kjo s’ka të bëjë me këtë punë. Unë kam qenë partizan, me tepër se ti. Kështu, e dënuan me pushkatim, dhe e pushkatuan Selaudinin, po ama nuk harruan t’ia përmendnin miqësinë me Vangjelin!!
Para pushtimit Vangjeli botonte në të gjitha revistat e kohës. Pothuaj qe i përjavshëm, se atëhere kështu botoheshin revistat, dhe i vazhdueshëm. Me ardhjen e Italisë, botonte kryesisht te revista Shkëndija e Koliqit, po edhe te revistat e tjera. Atëhere Vangjeli e kishte shumë të thjeshtë të botonte në një libër të veçantë e t’i përmblidhte gjithë shkrimet e veta, për arsye se ai qe përgjegjës për shtypiin e asaj kohe. Pra nuk qe gjë e madhe botimi i nji vepre. Kur binte biseda që i thoshnin: “Po pse o Vangjel nuk i përmbledh në një libër këto që shkruan?! Nëna më tregon që ai u përgjigjej: “Unë vërtet e kam në dorë këtë punë, por nuk dua të bëhet. Kështu që ai nuk botoi para çlirimit asnjë vepër të përmbledhur të tijën.
Vdekja e tij ka qenë shumë tragjike. Ne në familje qemë pesë vetë: Vangjeli, e shoqja, unë dhe nëna e nënës me të bijën. Gjatë vitit 1943, kunata e Vangjelit, tezja ime sëmuret rëndë, dhe mjekët i thonë se kurimi i saj në Shqipëri qe i pamundur, prandaj duhet të shkonte të kurohesh në Itali. Erdhën pushimet verore, dhe Vangjeli merr pesë bileta udhëtimi me vaporrin “Citta di Catania”. Kjo ngjarje më kujtohet mirë edhe mua… por në shtëpi Vangjeli u kthye me tre bileta!!! – Dhe na thotë: Më zuri njëri në rrugë dhe m’i mori dy bileta. Nëna u nxeh: Po si more Vangjel, ti mori ato bileta? “Po kishte një hall. Ishte një tregtar tiranas, edhe ai e kishte vajzën sëmurë, bile dhe bëri llafe me mua. “Ju, jeni autoritete dhe merrni bileta sa të doni! Unë u detyrova dhe i dhashë dy bileta. Kështu që duhet të caktojmë kush do të udhëtojë dhe kush do mbetet nga ne të pestë… U soll e soll biseda dhe mbetëm unë dhe mamaja; kurse motra e mamasë, nëna e saj dhe Vangjeli u vendos të udhëtonin për në Itali. “Unë do të shkoj të sistemoj në Itali vjerrën dhe kunatën – u tha Vangjeli, – dhe do të kthehem t’ju marr edhe ju të dy…” ishte fjala për mua dhe nënën. Kështu që ne me avion do të shkonim në Itali. Kjo është historia.
Tashti po tregoj atë që më kanë treguar. Eh, si është puna e fatit të njeriut! Në Milano banonte Lec Shllaku, i cili vite më pas botonte revistën e “Koha Jonë”. Ai jetonte në Milano dhe shkonte në Paris. U takuan me Vangjelin në rrugën tregtare, dhe u gëzuam që atë natë do të ishim bashkë dhe do të bisedonim për letërsinë. Kur në mes të rrugës i del një mik dhe i thotë: “Do kthehesh të hash darkë te unë!” Bëhet s’bëhet, bëhet s’bëhet… dikur ma mbushi mendjen dhe u ktheva të ha darkë te miku. Vangjeli me kunatën dhe vjerrën vazhduan dhe hypën në anije, në të cilën ishin edhe nja nëntë ushtarë italianë të çmobilizuar, që kishin dalë jashtë mundësive për luftë… Edhe ata hipën në vaporr. Këtë ma ka treguar nji njeri që ka qenë në anije. Një çerek ore para se të mbrrinim në portin e Brindizit, u del një nëndetëse angleze, e cila e urdhëron vaporrin të ndalojë për një kontroll. Kapiteni i anijes nuk desh t’i linte ushtarët italianë që t’i merrte si robër nëndetsja angleze dhe e vazhdoi udhëtimin… kurse ajo i qëlloi me silura anijen. Predha e parë nuk e kapi, kurse silura e dytë e kapi mes përmes… Brenda pak minutave vaporri “Citta di Catania” u mbyt… Ne që qemë në tarracë të anijes, shumica studentë të shkollës ushtarake, u hodhëm nga anija, kush me not, kush me salvaxhente, kush me ndonjë copë druri për t’u mbajtur. Nga porti i Brindizit kur e panë këtë skenë, erdhën motoskafët edhe na mblodhën të gjithëve dhe na nxorrën në breg. Vangjeli sipas dëshmitarëve, ka qenë në katin e poshtëm të vaporrit, për nevoja personale, dhe nuk doli dot lart. Kunata e tij qe lart, ata i thanë tezes që hidhesh në det. Ajo e tmerruar siç ishte për fatin e kunatit dhe të nënës, mbeti lart… kështu pranoi edhe ajo fatin e përbashkët… duke u mbytur të tre.”
Bisedë me Jozef Radi