Njihuni me drejtorin e ri të Policisë Gjirokastër, tropojani që Saimir Tahiri i publikoi videon kur kalonte me semafor të kuq

Një ditë më parë është zyrtarizuar drejtori i ri i Policisë së Qarkut Gjirokastër. Perlat Vatoci është komanduar në këtë detyrë për një kohë të pacaktuar, duke zëvendësuar Koço Dafën, i cili ishte gjithashtu i komanduar. Po kush është Perlat Vatoci? 42-vjeçari i lindur në Tropojë ka një karrierë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit. Përpara se të vinte në Gjirokastër ai ka mbajtur detyrën e drejtorit të policisë së qarkut Kukës, ku mbeti edhe i plagosur gjatë protestës së disa banorëve në Rrugën e Kombit për të kundërshtuar tarifën e vendosur nga qeveria. Vatoci u lëndua gjatë sulmit me gurë por, nuk shkoi në spital deri në mbyllje të protestës.

Më përpara ai ka qenë drejtor policie në qarkun e Dibrës. Gjatë kësaj kohe ai ka bërë një shkelje, për të cilën reagoi ish-ministri Saimir Tahiri. Vatoci ishte kapur duke kaluar me të kuqe semaforin. Për këtë ai u gjobit, ndërsa Tahiri e bëri publik në Facebook videon që tregonte Vatocin duke kaluar semaforin me të kuqe. “Falenderoj qytetarin qe solli kete video. Ndaj punonjesit te policise u mor masa administrative per shkeljen’,- shkruan Tahiri, duke publikuar edhe fletën e gjobës ndaj ish- drejtorit të policisë Dibër, i komanduar së fundi në krye të Policisë së Gjirokastrës. Por sot gjërat kanë ndryshuar. Tahiri që dje ‘denonconte’ Vatocin për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, është nën arrest shtëpie, pasi akuzohet për trafik droge me grupin e Habilajve, ndërsa Perlat Vatoci vijon karrierën e tij në radhët e Policisë së Shtetit.

©ArgjiroLajm.net