‘Njëherë ti në pushtet dhe njëherë unë’, Rama zbardh kërkesën që i bëri Basha


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka treguar një fragment nga kontakti që ka pasur me liderin e opozitës Lulzim Basha. Sipas shefit të qeverisë, Basha i ka kërkuar dakortësinë për marrjen e pushtetit në tavolinë duke anashkaluar procesin zgjedhor. Duke folur lidhur me akuzat e opozitës, Rama tha se Basha kërkon prej tij që t’i lëshojë karrigen, por kjo është e patolerueshme.

“Ma ka thënë vetë Luli, pushtetin me marrëveshje në tavolinë, njëherë ti, njëherë unë,

Eshtë e vetmja gjë që unë Lulit nuk ia jap dot.

Mund t’i jap gjysmën e zemrës, po këtë nuk ia jap dot.

Pushteti nuk është i imi, është i atyre që kanë votën.

Edhe po të luten nga veriu në jug, se Taulanti nuk del dot, se do presë sa Klajda të shohë filmimet, ne na marrin me gurë, po Lulit pushtetin nuk ia japim.

Ndaj Lulzim, Monika e opozita sot janë i mbyturi që bërtet.

Monika i hap më shpjet sytë, i mbyll më vonë, Luli e kundërta.

I mbyturi të thotë do të mbys. Të pafytyrë e të pabesë deri në fund”, tha Rama.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka folur kryesisht mbi akuzat dhe sulmet e pavend ndaj qeverisë, nga opozita e drejtuar nga Lulzim Basha, edhe pse siç theksoi ai, të dhënat mbi numrin e vrasjeve janë ulur deri në përgjysmim, apo është pesëfishuar sekuestrimi i pasurive të atyre që kanë lidhje me krimin.

Duke u ndalur në rastet e shumta të denoncuara nga opozita, të cilat kryeministri Rama i ka quajtur si produkte të “Kinostudios Luli shpk”, ai ka theksuar se sulmet dhe akuzat ndaj qeverisë apo individëve të veçantë të partisë në pushtet janë të pabaza.

“Në dritaret e SHQUP-it flitet vetëm për drogën dhe krimin, ndërsa tani kanë shtuar rëndshëm edhe shpifjet. Akuzat ndaj ministrit Xhafaj apo ajo ndaj kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla, janë monstruoze.

Sa i përket rastit Babale 1, ajo bisedë nuk ka ekzistuar kurrë.

Vëllai i ministrit në atë përgjim është veçse një aktor mjeran i paguar.

Zullimi është edhe më i trashë sesa kaq, sepse Babale 1 nuk ra nga qielli. Megjithëse lojës po i vjen fundi, ka ende pjesë të pazbuluara nga Babale 1.

Edhe rasti Babale 2, ai me Xhisiela Malokun do të rezultojë sërish një përpjekje e dështuar e opozitës.

Mbrëmë, asaj vajze i është hedhur lëndë plasëse në oborrin e banesës së të afërmve. Ajo vajzë u dhunua publikisht për ditë të tëra, ndaj i bëj thirrje Prokurorisë ta zbardhë deri në fund”, tha ndër të tjera Rama.

Sa i përket përfshirjes së Ballës në rastin e Xhisielës, Rama ka thënë se nëse ai rezulton të gjendet në ndonjë filmim, atëherë le të arrestohet.

Përveç rasteve të fundit, Rama i është kthyer edhe çështjes së Saimir Tahirit, për të cilin tha se e ka përjashtuar nga jeta politike, derisa drejtësia të japë vendimin përfundimtar.

E duke dashur të bëjë dallimin e qeverisë së sotme dhe asaj të mëparshme sa i përket reagimit ndaj denoncimeve, ai tha se sot djali i një deputeti është në burg, ndërsa vëllai i ministrit Xhafaj po vuan një dënim në Itali.

Rama pati edhe një akuzë për opozitën.

“Sharlatanët e kanë katandisur Partinë Demokratike në një punishte që fabrikon shpifje, duke thirrur me lekë llumin”, është shprehur ai.

Në mbyllje, ai theksoi se lufta me krimin do të pëshkallëzohet, pasi forca e ligjit nuk do të ndalet para askujt.