Gjykata nis procesin gjyqësor ndaj 22 vjeçarit Halit Shyti, që qëlloi policinë me armë kur po afroheshin për ti shkatërruar parcelat me hashash, ku ai ishte punësuar si roje. I riu rrezikon një dënim deri në 25 vjet burg për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj uniformave të policisë. Ndërkohë shpallet në kërkim pronari i tokës, ku ishin mbjellë 1300 rrënjë cannabis sativa.
22 vjeçari Halit Shyti, qëlloi me armë gjahu në drejtim të forcave të policisë, kur uniformat blu po tentonin ti shkatërronin parcelat e mbjella me hashash, ku ai ishte punësuar.
Para Gjykatës së Krimeve të Rënda, i riu nga fshati Llakaj të Memaliajt, pranoi akuzën e tentimit të vrasjes ndaj punonjësit të policisë duke shprehur pendesë për krimin. Ai i tha gjykatës, se ditën e ngjarjes kishte konsumuar shumë hashash dhe në momentin që ka parë forcat e policisë, nga frika kishte qëlluar në drejtim të tyre. Si pasojë e një të shtëne të vetme me armën e gjahut, është plagosur lehtë një efektiv i policisë.
Tre orë pas këtij momenti, thuhet në materialet e prokurorisë, i riu është arrestuar ku edhe ka treguar se ishte punësuar në parcelat e hashashit. Veç akuzës së vrasjes së mbetur në tentativë dhe kultivimit të hashashit, 22 vjeçari Halit Shyti po gykohet edhe për akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike. Pasi me anë të një lidhje të paligjshme, furnizonte me energji pompat e ujit që përdoreshin për të ujitur parcelat e mbjella me hashash. Me kërkesë të të pandehurit, procesi gjyqësor në ngarkim të tij do të shqyrtohet me gjykimi të shkurtuar. Ndërsa babai i tij, Luan Shyti do të gjykohet në Gjirokastër për akuzën e kultivimit të hashashit.
Nga ana tjetër, me kërkesë të prokurorisë, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin e shpallur në kërkim Albano Rama. Ky i fundit, akuzuhet si pronar i tokës ku ishin mbjellë rreth 1300 rrënje cannabis sativa në 4 parcela të ndara. Asgjesimi i këtyre parcelave, sipas prokurorisë ka ndodhur më 20 korrik të vitit të kaluar në afërsi të fshatit Llakaj në Memaliaj.