Një 40-vjeçare shqiptare ka ndërruar jetë në Greqi, pasi është qëlluar me armë. Mediat e vendase raportojnë se është shpallur në kërkim bashkëshorti. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në lagjen Haidari në Greqi, kur dy burra të armatosur hapën zjarr kundrejt shtetases shqiptare.
Mediat greke raportojnë se, 40-vjeçarja emri i të cilës nuk bëhet i ditur ka dalë e gjakosur në rrugë për të kërkuar ndihmë, por që aty ka rënë pa ndjenja. Kjo ngjarje tragjike ndodhi në rrugën “St. Paraskevi” në praninë e disa qytetarëve që qarkullonin në atë kohë në zonë. Gruaja, e cila u qëllua në kokë, u dërgua në një gjendje të rëndë në spitalin Tzaneio në Piraeus, por që më vonë ndërroi jetë. Policia po kërkon autorët e krimit dhe po heton nëse këta autorë kanë pasur njohje me viktimën. Duke cituar burime policore, media greke raporton se të shtënat ndodhën në banesën ku jetonte gruaja. Dyshohet se partneri i saj është personi që ka shkrepur këmbëzën. Megjithatë, kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga policia.