Qeveria kanadeze ka dhuruar 80 dyshekë për familjet e përmbytura në Gjirokastër. Me këtë rast kishte mbërritur në qytet Claudia Hinzer, oficere Politike dhe Ekonomike në Ambasadën Kanadeze në Romë, pasi Kanadaja s’ka ambasadë në Shqipëri.
Ndonëse ishte një ndihmë modeste, ajo që ra në sy ishte ceremonia pompoze e organizuar me këtë rast. Një nëpunëse ambasade pritet me nderime të mëdha nga prefekti Astrit Aliaj, kreu i Këshillit të Qarkut, Armand Hila dhe kryebashkiaket e Gjirokastrës dhe Libohovës. Jo më shumë në shenjë respekti sesa servilzmi.
Me po të njëjtin pompozitet u shpërndanë edhe dyshekët tek disa familje të përmbytura, të cilat nën zë u shprehën se nuk kishin nevojë për dyshekë, në kushtet kur janë dëmtuar në orendi të tjera më të domosdoshme si frigoriferi, lavatriçja, soba etj dhe kur ende s’janë marrë masa nga shteti për t’u dëmshpërblyer. Një tjetër detaj që i ‘nxjerr zbuluar’ ishte vizita në një prej familjeve të përmbytura ku u dhuruan 6 dyshekë, por ndërkohë aty s’kishte as energji elektrike. Skena që të kujtojnë Shqipërinë e viteve ’90 kur të huajt gjoja nën petkun e ndihmës humanitare sillnin në vendin tonë edhe ushqime të skaduara. Kujtoni kamionët me biskota, pula, pjeshkë etj ushqime.
©ArgjiroLajm.net