Të shumtë janë shqiptarët të cilët në kërkim të një jete më të mirë janë larguar nga Shqipëria, duke lënë përgjysmë ndoshta edhe rrugën që mund të kenë nisur këtu. I tillë është rasti i talentit Arbër Lazaj i cili ka qenë pjesë e të rinjve të Luftëtarit deri sa vendosi që të largohet në drejtim të Amerikës së bashku me familjen e tij.
Ëndrra e tij për futbollin nuk ka përfunduar me ndryshimin e vendit, duke qenë se është pjesë e ACE Premier dhe luan me ekipin e të rinjve. Skuadra e tij, sot ka zhvilluar një ndeshje miqësore ndaj Barcelonës U18, ndeshje e cila është fituar nga skuadra ku aktivizohet 17-vjeçari shqiptar me rezultatin 4-2.
Lazaj ka arritur të lërë gjurmë përballë njërës prej Akademive më të mira në botë, duke realizuar gol në këtë takim. 17-vjeçari që luan si pykë, shihet si një nga talentet më premtuese dhe është një nga më të rëndëishmit e skuadrës, ndërkohë që ka edhe një fizik të jashtëzakonshëm, pasi është 1.92 metra i gjatë.