Nesër pritet vendimi i KQZ: Mandati i Tavos në Gjirokastër i kalon Ediola Brahës


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zëvendësojë të hënën dhe gjashtë deputetë të tjerë të opozitës. Tre prej tyre vijnë nga lista e Partisë Demokratike dhe tre nga LSI. Në Berat, Astrit Veliaj do të zëvendësohet nga Lefter Maliqi. Në Korçë, Klevis Balliu do të zëvendësohtet nga Ligoraq Karamelo. Ndërsa mandatin e Gent Strazimirit në Qarkun e Tiranës do ta marrë Majlinda Halilaj e cila është renditur e 47-a në listën e PD për kryeqytetin.

Sipas relacionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në datën 1 mars Halilaj ka paraqitur dorëheqjen nga marrja e mandatit, por tre ditë më pas po ashtu në KQZ ajo ka dorëzuar edhe formularin e dekriminalizimit duke nisur procedurën e marrjes së mandatit. Sa i përket LSI, mandatin e Viktor Tushaj në Lezhë e merr Alda Hoti, e cila pavarësisht se ka dorëzuar dorëheqjen nga marrja e mandatit, ka paraqitur edhe formularin e dekriminalizimit.

Në Durrës, mandatin e Nora Malajt e merr Edlira Hyseni dhe në Gjirokastër në vend të Vangjel Tavos hyn në Kuvend Ediola Braha. Në këtë mënyrë, pas të hënës, në Kuvend do të ketë 92 deputetë. 143 kandidatë të opozitës në listat e zgjedhjeve të 2017 kanë dorëzuar në KQZ vetëdeklarimin ku refuzojnë të marrin mandatin e deputetit. Deputetët e rinj pritet të betohen në seancën plenare të datës 13 mars duke e çuar në këtë mënyrë në 10 numrin e mandateve të asaj që cilësohet si “opozita e re” parlamentare.

Ndërkohë, në mbledhjen e radhës KQZ do të regjistrojë katër parti politike si pjesëmarrëse në zgjedhjet e 30 qershorit për pushtetin vendor. Ato janë: Partia Uniteti Kombetar, Partia Socialiste e Moderuar, Partia Emigracioni Shqiptar, dhe Partia Kombetare Konservatore Albania.