Nepotizëm, korrupsion dhe paaftësi. Kush e rrënoi dhe kush e mban peng Universitetin e Gjirokastrës

Ky vit i ri akademik që nis në mes të muajit tetor pritet të shënojë të tjerë hapa prapa për Universitetin ‘Eqrem Çabej’ në Gjirokastër, duke iu referuar këtu numrit gjithnjë e më ulët të studentëve që do e frekuentojnë. Në fazën e parë të aplikimeve, numri i atyre që kishin shprehur interes për të studiuar në këtë universitet, ishte i ulët dhe më i keq nga pikëpmja e cilësisë se kandidatëve për studentë.

Në total janë rreth 1220 aplikantë, 40% e të cilëve kanë mesatare nën 6 dhe që synojnë të futen në programet profesionale dy vjeçare. Këto të fundit janë një shpikje e qeverisë pë të mbajtur në sistem atë kontigjent studentësh, që kanë mesatare nën 6 dhe rrjedhimisht nuk futen në universitet. U sajuan këto të ashtuquajtura programe profesionale edhe si një mekanizëm për të ‘zënë me punë’ gjithë ata të rinj e të reja që nuk hyjnë dot në universitet dhe qeveria nuk dëshiron t’i konsiderojë si të papunë.

Rreth 500 aplikantë në Universitetin e Gjirokastrës janë pikërisht nga ky kontigjent me mesatare nën 6. Por përtej këtyre pyetja që shtron kushdo është përse u rrënua Universiteti ‘Eqrem Çabej’? Natyrisht që janë një sërë arsyesh dhe shpjegimi është kompleks. Ne do të mundohemi të japim pikëpamjen tonë për këtë çështje, pa pretenduar kurrë se kemi të vërtetën absolute, por besojmë se vetëm përmes një debati të shëndetshëm mund të shtrojmë rrugën që ky universitet në mos të ringrihet aty ku ka qenë dikur, të paktën të mos rrënohet më tej.

Universiteti i Gjirokastrës reflekton padiskutim gjithë problematikën që kanë sot universitetet publike në Shqipëri e në shumë raste edhe universitetet private. Ndonëse do duhej të ishte një qendër kërkimore e rëndësishme në jug të vendit, sot ky universitet po degradon vit pas viti për shkak të paaftësisë, korrupsionit, nepotizmit dhe dëshirës tinëzare të drejtuesve të tij për të ruajtur ‘status-quonë’. Trupa akademike e këtij universiteti dhe drejtuesit ndër vite kanë shmangur në çdo rast përgjegjësitë nga vetja, duke e kërkuar ‘armikun’ së jashtmi.

Në disa raste tek politika, në raste të tjera te sektori privat  e kështu me radhë. Padyshim që politika, zhvillimi i arsimit të lartë privat, mundësitë për të ikur jashtë shtetit, tkurrja e popullsisë dhe shumë faktorë të tjerë kanë bërë të vetën. Por barra më e madhe për rrënimin e Universitetit të Gjirokastrës u takon drejtuesve të tij ndër vite dhe trupës akademike. Nëse nuk e dini, sot Universiteti ‘Eqrem Çabej’ është kampion i nepotizmit, njësoj si shumë universitete të tjera publike në vend. Në këtë universitet janë punësuar ndër vite njerëz të rrethit të ngushtë familjar e shoqëror të drejtuesve dhe pedagogëve.

Punësime shpesh pa kriter e jashtë çdo procesi transparent. Dikush ndan zyrën me gruan, me motrën, baxhanakun, dashnoren, kunatën, vëllain dhe plot njerëz të tjerë me lidhje të ngushta. Mos prisni të ketë zhvillim, aty ku nuk ka konkurrencë e meritokraci, mos prisni reformim aty ku ka lidhje të frikshme nepotike. Në një moment të dytë, ArgjiroLajm.net do të publikojë listën e plotë të njerëzve që punojnë në Universitetin e Gjirokastrës dhe cilat janë lidhjet e tyre nepotike brenda institucionit. Sigurisht që në një qytet të vogël si Gjirokastra, ndoshta është e pamundur të shmanget nepotizmi 100%, por edhe që të mbërrijë në nivele të atilla të frikshme është patolerueshme.

Plaga tjetër e këtij universiteti është padyshim korrupsioni. Marrja e provimeve kundrejt pagesës është kthyer gati në një ligj të pashkruar brenda institucionit dhe vetë pedagogët kanë një ‘kod heshtje’ me njëri-tjetrin për këtë çështje. Kanë gjithashtu edhe një ‘shkelje syri’ nga drejtuesit apo mekanizmat e tjerë brenda institucionit që duhet të monitorojnë punën e pedagogëve, garantimin e cilësisë dhe përmbushjen e standardeve. Sigurisht, nuk janë të gjithë të këtij takëmi. Gjen mes tyre pedagogë të zellshëm për të dhënë mësim dhe që refuzojnë të bëhen pjesë e pazareve të tilla.

Ndoshta duhet të jenë pikërisht këta pedagogë që sot më shumë se kurrë duhet të ‘rebelohen’ për të frenuar rrënimin e mëtejshëm të institucionit më të rëndësishëm në Gjirokastër. Po po, universiteti është institucioni më i rëndësishëm që nuk duhet lënë të degradohet nga pazaret e batakçinjve që nuk e shohin si qendër arsimore, por si një ‘lopë’ për ta mjelë kohë pas kohe. Nuk duhet lënë as në duart e të paaftëve dhe as në duart e  atyre që janë aty vetëm sa për të marrë rrogën. Universiteti i Gjirokastrës është rrënuar sot edhe për shkak të qasjes që politika ka patur ndaj tij ndër vite.

Qeveritë e të gjitha krahëve e kanë përdorur edhe si një ndërmarrje e rëndomtë shtetërore, ku kanë sistemuar njerëzit e tyre për të ndarë ofiqe, tendera dhe trafik influence. Duke qenë ‘të kapur’ drejtuesit e universitetit ndër vite nuk i kanë rezistuar dot këtij presioni dhe kanë lëshuar terren. Më pas kur karroca merr tatëpjetën nuk është e vështirë ta shtysh. Sot Universiteti i Gjirokastrës është në ditët e tij më të këqija dhe nëse nuk ka reflektim mos u çudisni fare, që një ditë të kthehet në një kolegj profesional, për të mos thënë që mund të mbyllet fare. Natyrisht nuk po bëjmë Kasandrën dhe as nuk dëshirojmë që kjo të ndodhë sepse universiteti është krenaria e qytetit, është institucioni më i rëndësishëm.

Por babëzia për ta ‘mjelë’ këtë institucion, duhet të marrë fund. Ky universitet ka nevojë për një ‘akt rithemelimi’, në mënyrë që të jetë i besueshëm tek studentët, tek maturantët dhe tek publiku në tërësi. Kur themi ‘akt rithemelimi’ nuk është fjala për një dokument të rëndomtë, por për një momentum të ri, për një pikë kthese, për një qasje ndryshe në menaxhim jo vetëm të procesit akademik, por në tërësi ndaj institucionit. Fajtorët për degradimin e universitetit duhen gjetur aty brenda në universitet.

Nuk është një çështje emrash, shumë prej të cilëve mund t’i rendisim edhe ne, por është mbi të gjitha një çështje filozofie, vizioni dhe kapacitetesh për ta kthyer universitetin në shërbim të publikut. Sot ky universitet është më shumë në shërbim të atyre që punojnë aty, pasurohen padrejtësisht dhe rrënojnë ditë pas dite këtë institucion. Argumentat që vijnë nga brenda universitetit, nga drejtuesit apo trupa akademike, tentojnë kryesisht ta relativizojnë problemin dhe shmangin përgjegjësinë nga vetja, duke gjetur në çdo rast një ‘armik’ të jashtëm.

Por ndërkohë e vërteta është se ky universitet degradoi ndër vite për shkak të veprimeve dhe mosveprimeve të vetë drejtuesve dhe trupës akademike. Ky është vetëm fillimi i një serie raportimesh që ArgjiroLajm.net do të bëjë mbi Universitetin ‘Eqrem Çabej’, me shpresën se do të nxitet një debat i brendshëm për ta reformuar dhe për të mos lejuar rrënimin e mëtejshëm. Ne besojmë se s’ka rrugë tjetër për të vënë gjërat në lëvizje. Në këtë rast nuk ka vlerë shprehja: “Heshtja është flori”. Heshtja për universitetin është bashkëfajësi dhe krim kolektiv. Mos ia bëni këtë Gjirokastrës!

© ArgjiroLajm.net