Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha duhet të paraqitet sot në Prokurorinë e Tiranës, për tu njohur me akuzat që janë ngritur ndaj tij, për sa i përket kontratave të lobimit në SHBA. Basha duhet të paraqitet ditën e sotme, në orën 09:00, në zyrat e organit të akuzës, sipas letrës që kanë firmosur prokurorët.
Sipas faksimiles, Basha akuzohet për vepra penale të parashikuara nga nenet 287/ç dhe 190/3, që kanë të bëjnë me “pastrim parash” dhe “falsifikim dokumentesh”. Përveç Bashës, për këtë çështje janë proceduar edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi.
Ende nuk dihet nëse Basha do të shkojë sot në organin e akuzës. Prokuroria e ka paralajmëruar se nëse nuk shkon, do të merret forcërisht nga policia.
Pak ditë më parë në një reagim në faqen e tij në Facebook, Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama se kishte “ngritur akuzat ndaj tij”. “Edi Rama, me metoda putiniane, ka vendosur të hapë hetime kundër meje, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike”, tha Basha në reagimin e tij.