“Në Gjirokastër nuk i kujtojnë legjendat”, Hitaj: Luftëtari bën historinë në Kupë, luan futboll të bukur


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Luftëtari pas eliminimit të Partizanit nga Kupa e Shqipërisë synon që të shkruajë historinë e klubit. Bluzinjtë arritën që t’i mposhtin të kuqtë në dy ndeshjet çerekfinale, 2-1 në transfertë dhe të mërkurën fituan 1-0 në Gjirokastër. Tani Luftëtari mbetet në pritje të hedhjes së shortit të gjysmëfinales së Kupës, në mënyrë që të thyejë tersin 37-vjeçar, kur u ndalën në këtë fazë të kompeticionit.

Pjesë e suksesit të Luftëtarit të para 37 viteve ishin emra të mëdhenj të futbollit gjirokastrit, që asokohe ekipi drejtohej nga trajneri legjendar Hito Hitaj. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri Hitaj kalimin e Luftëtarit në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë e konsideron arritje për skuadrën gjirokastrite.

Përveç kësaj arritjeje momentale, Hitaj beson se Luftëtari do të jetë pjesë e ekipeve të Superiores edhe në sezonin e ardhshëm. Njëherazi, ish-trajneri në intervistën e tij s’mund të linte pa përmendur emrat lojtarëve të Luftëtarit të viteve ‘80-‘90, vite kur gjirokastritët kanë shkruar emrin e tyre në librin e futbollit shqiptar.

Profesor, a mund ta bëjë historinë këtë vit Luftëtari në Kupë?

Po, patjetër. Luftëtari është skuadra që di të luajë futboll të bukur dhe bashkëkohor. Gjirokastra në dy-tri vitet e fundit, pavarësisht ndonjë oshilacioni, ka qenë dinjitoze në kampionat. Rezultatet e Luftëtarit s’kanë qenë rastësore. Te Luftëtari është një grup solid lojtarësh, që dinë të luajnë futboll tërheqës. Këtë gjë po bëjnë aktualisht, pasi arritën të thyejnë dy herë edhe Partizanin.

Ju keni qenë trajner i Luftëtarit 37 vite më parë, por nuk ia dolët të triumfoni përballë një emri të madh të atyre viteve si Dinamo. Çfarë mbani mend në dy përballjet me dinamovitët?

Gjirokastra e atyre viteve krijoi një grup futbollistësh që përfaqësoi Luftëtarin dhe ekipin kombëtar. Në qendër ishin emra si Braho, Seiti, Kalluci, i ndjeri Astrit Boni, e gjithë të tjerët me radhë. “Gurë të fortë themeli” për Luftëtarin e atyre viteve ishin emra si, Milto Gurma, Spiro Curri, Reshat Sala, Durim Qypi, Bujar Kasmi e të tjerë. Të gjithë kanë meritën e veçantë, falë së cilës Luftëtari përfaqësonte gjithë jugun e Shqipërisë.

Të eliminoje Dinamon e mikut tim të ndarë nga jeta një muaj më parë, Vasillaq Zëri, me kompani ishte shumë e vështirë. Sa më kujtohet, fualli i fituar me shumë zgjuarsi nga Zëri i shndërruar në gol po nga vetë ai, e mbylli ëndrrën e kualifikimit. Pësuam gol të shpejtë në fillim të ndeshjes së luajtur në Gjirokastër, pësuam dhe të dytin më pas. Çfarë mund të bënim në ndeshjen e kthimit në Tiranë përballë Dinamos të mbushur brenda saj me emra të mëdhenj.

Si e kujtoni Luftëtarin e para viteve ‘90?

Një Luftëtar të ardhur jo rastësisht në Kupat Ballkanike dhe nënkampion të vendit në vitin 1978-1979. Në kohën tonë punohej medëshirë dhe zell që nga shkollat sportive deri te grupmoshat. Shumë vite më parë, në Gjirokastër kishte njerëz të caktuar që përzgjidhnin dhe trajnonin fëmijë të ndryshëm. Trajner si Çaush Bega e shumë të tjerë prodhuan lojtarë që përfaqësuan denjësisht Kombëtaren. Falë spektaklit që Luftëtari shpaloste në fushë, pavarësisht kundërshtarit, në Gjirokastër për herë të parë është aplikuar prenotimi i biletave nga 6 gjashtë muaj deri në 1 vit.

Evoluimi që pësoi futbolli gjirokastrit i atyre viteve bëri që 8400 vendet e stadiumit të ishin në maksimum të mbushura. Lojtarët e Luftëtarit të para viteve ‘90, jo vetëm të mos harrohen, por të vlerësohen për gjithçka kanë dhënë. S’mund të lësh në harresë emra si Braho, Kalluci, Seiti, Boni, Shoni, Ksera e gjithë të tjerët. Skuadrat e tjera i kuj tojnë legjendat, në Gjirokastër kjo nuk po ndodh. Mendoj se kjo s’është normale.

Cila është këshilla juaj si një legjendë e futbollit gjirokastrit për drejtuesit e klubit dhe trajnerin Julian Ahmataj?

Të punojnë sikundër dhe kanë bërë vitet e fundit. Drejtuesit pa dyshim që kanë meritën e tyre. Trajnerin Ahmataj e kam njohur 3 vjet më parë në Durrës. Është një trajner pasionant, e dashuron futbollin, si dhe është i drejtpërdrejtë.

Besoni se Luftëtari do të jetë pjesë e Superiores në sezonin e ardhshëm?

Besoj dhe shpresoj se do të jetë dinjitoz deri në fund të garës dhe do t’ia dalë. Në lojë janë edhe shumë pikë për t’u fituar, pasi janë edhe disa javë për t’u luajtur. Me cilësitë që ka Luftëtari s’do të zhgënjejë.