Forcat speciale RENEA prej orësh janë në ndjekje të 35-vjeçarit Kostandinos Kaçifa, që qëlloi me kallashnikov forcat e policisë paraditen e sotme në fshatin Bularat të Dropullit në Gjirokastër. Mësohet se pasur shkëmbim të madh zjarri mes RENEA-s dhe autorit të dyshuar.
Ky i fundit ishte i armatosur me 3 karikatorë kallashnikovi, teksa qëndron i izoluar në pjesën e sipërme të malit. Ai është lokalizuar dhe po mbahet i rrethuar nga policia. Burimet thonë gjithashtu se është rrezikuar seriozisht jeta e efektivëve të RENEA-s, të cilët po përpiqen për të arrestuar 35-vjeçarin që po terrorizon fshatin Bularat.
Burime të pakonfirmuara thonë gjithashtu për ArgjiroLajm.net se ka dyshime që autori të jetë qëlluar nga shkëmbimi i zjarrit. Nuk dihet nëse ka mbetur i plagosur apo ka ndërruar jetë. Megjithatë këto janë informacione paraprake të pakonfirmuara. Forca të shumta RENEA dhe të Drejtorisë së Policisë Gjirokastër ndodhen në fshatin Bularat, ku po patrullohet edhe nga ajri me helikopter.