Kukësi fitoi një ndeshje shumë të rëndësishme në Gjirokastër dhe falë këtij trepikëshi mbeten ende në garë për titull. Edhe pse janë të 4-it në tabelë dhe mbeten me 7 pikë larg nga vendi i parë, goli në frymën e fundin prej Valon Ethemit, i riktheu qetësinë skuadrës së drejtuar nga Armando Cungu.
Ndonëse po e dominonin lojën, rrezikuan ndjeshëm. Luftëtari luajti për më shumë se një pjesë me 10 lojtarë dhe nuk i la asnjë shans Kukësit që të thellonte shifrat. Nisur nga ky fakt, presidenti ka zhvilluar edhe një mbledhje. Safet Gjici thirri në zyrën e tij të gjithë futbollisti dhe stafin teknik e atë drejtues.
Në orën 12:00 që të gjithë ishin të pranishëm për të dëgjuar kreun e klubit, i cili ka shfaqur pakënaqësi për lojën e zhvilluar dhe fitoren e vuajtur që arritën, edhe pse ishin në superioritet numerik. Ai ka kërkuar nga ekipi mobilizim dhe fitore të padiskutueshme kundër Skënderbeut, pasi këto dy javë janë më të rëndësishmet për objektivat e klubit.
Gjici shprehu besimin se skuadra e tij mund t’ia dalë nëse jep maksimumin. Mbledhja zgjati diçka më shumë se 40 minuta dhe presidenti u ndal edhe te pritshmëritë që ka ndaj grupit, por nuk ngurroi që të dëgjonte edhe problematikat që ata mund të kishin.