Ndeshja me Kamzën, Luftëtarit i rikthehet Shkurtaj: Na pret një sfidë ferri…


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Vasil Shkurtaj i ka munguar fushës së blertë prej javësh, por duket se dëmtimi tashmë ka kaluar plotësisht. Lajmi i mirë vjen në prag të Kamzës, ndërsa mësohet se autori i 5 golave do të jetë në fushën e lojës. 26-vjeçari konfirmon për “Panorama Sport” se është gati për të dhënë maksimumin për transfertën e kësaj të shtune.

“Me vullnet dhe përkushtim kam zbatuar këshillat e stafit mjekësor, si dhe udh zimet e trajnerit Hasan Lika. Sot (dje) jam stërvitur veçmas, ndërsa nesër (sot) do t’i bashkohem grupit për të qenë gati të shtunën. Me Kamzën do të jetë e vështirë për vetë objektivat që kemi ne, por edhe kundërshtari. Duhet të bëjmë një sfidë heroike për të dalë në fund të 90-minutëshit me rezultat pozitiv. Jemi më shumë se të ndërgjegjshëm se nuk do ta kemi të lehtë, përkundrazi na pret një sfidë ferri. Gjithsesi, kemi stofin e duhur për t’ia dalë. Në planin personal më duhet të them se do të jap kontributin tim individual për t’i dhënë ekipit, pse jo, dhe fitoren”, u shpreh Shkurtaj.

DREJTORI – Vangjel Çavo rezervon fitoren e radhës. Drejtori teknik i Luftëtarit shfaqet i bindur se skuadra do ia dalë edhe në këtë transfertë. “Në Kamzë, si në çdo fushë tjetër shkojmë për fitore. Kemi moralin e lartë brenda skuadrës. Të gjithë lojtarët gëzojnë formë të mirë sportive dhe të gatshëm për të dhënë gjithçka”, kështu e nisi fjalën e tij Çavo në studion e “RTSH Gjirokastra”. I pyetur për lëvizjet e mundshme në merkato, ai tha: “Në radhët e Luftëtarit ka lojtarë cilësorë dhe se të tillë janë bërë pjesë e tregut vendës dhe të huaj.

Për lojtarë si Bregu, Rroca, Xhekson, Aleksi ka oferta nga ekipe të ndryshme, por vetëm pas përfundimit të garës do të vendosim për ardhmërinë e tyre. Daljet në merkato do të kompensohen me të tjerë lojtarë cilësorë. Në fund të sezonit do të ketë rikompozim të akademisë sportive, duke filluar nga grupmoshat më të vogla. Infrastruktura do të pësojë një ndryshim rrënjësor fillimisht në ‘Fushën e Vjetër’, duke nisur me vendosjen e prozhektorëve. Me ndihmën e FSHF-ës do të rikonstruktohet fusha e Dervicianit, me qëllim që futbollistët të stërviten në kushtet e barit natyral për të shmangur dëmtimet”.

PËRGATITJET – Luftëtari ka zbritur në fushë që në orën 9 të mëngjesit dje dhe për më shumë se 90 minuta mori ngarkesa për ndeshjen e së shtunës. Vëmendje të veçantë iu kushtua përgatitjes atletiko-fizike, më tej Hasan Lika ndau lojtarët në dy grupe. “Mos të përsëritim gabimet e ndeshjes së fundit, tjetër specifikë ka ndeshja me Kamzën”, ka qenë mesazhi që u ka transmetuar trajneri të tijve në seancën e djeshme. Për të qenë sa më të qetë psikologjikisht drejtuesit e Luftëtarit kanë menduar relaksimin e lojtarëve në ditën e 1 Majit. Për këtë, bluzinjtë kanë zgjedhur pikën turistike të Lëkursit, pronë e presidentit Grigor Tavo.