Ndërtimi i Harri Lenës në Këlcyrë, furtunë në Policinë e Gjirokastrës, ja emrat e shkarkuar dhe përjashtuar nga detyra

Ndërtimi në Këlcyrë i ka kushtuar vendin e punës të gjithë drejtuesve të Policisë së Përmetit. Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se në fund të analizës së veprimeve dhe mos veprimeve të strukturave vendore të Policisë Gjirokastër në rastin e një ndërtimi pa leje në Grykën e Këlcyrës, në lumin Vjosë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur disa masa për punonjësit e Policisë, të cilët janë evidentuar me përgjegjësi administrative dhe penale.

Kështu, konstatimi i grumbullimit të materialeve dhe fillimit të punimeve në këtë vend për devijimin e një burimi natyror uji, është bërë në datë 5 shtator 2017 nga grupi i kontrollit të territorit të Postës së Policisë Këlcyrë. Megjithatë ngjarja nuk është raportuar pranë strukturave përgjegjëse, nuk u kryen veprimet proceduriale dhe nuk u referua çështja në Prokurori. Drejtuesit e Drejtorisë Vendore nuk kanë ushtruar përgjegjësinë ndaj strukturave në varësi për raportimet për kontrollin e teritorit. Kontrolli i territorit, në të cilin përfshihet edhe ruajtja e mjedisit nga çdo lloj krimi mjedisor është detyrë e strukturave të Policisë Vendore.

Për shkeljet dhe mangësitë e konstatuara u morën këto masa:

• U shkarkua nga detyra Shefi i Komisariatit të Policisë Përmet, Kryekomisar Gazment Shehu;

• U shkarkua nga detyra Shefi i Stacionit të Policisë Këlcyrë, Nënkomisar Edmond Anxhara;

• U përjashtua nga Policia e Shtetit Inspektor Dashnor Jakupi, Specialist i Policisë së Zonës;

• U dha ‘Vërejtje me paralajmërim’, për Zëvendësdrejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Drejtues Koço Dafa;

• U dha ‘Vërejtje’, për Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Drejtues i Parë Lorenc Panganika.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme pas veprimeve hetimore, referoi materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Përmet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, në bazë të nenit 248 të Kodit Penal për punonjësit e Policisë:

• Kryekomisar Gazment Shehu, Shefi i Komisariatit të Policisë Përmet;

• Nënkomisar Edmond Anxhara, Shefi i Stacionit të Policisë Këlcyrë;

• Inspektor Dashnor Jakupi, Specialist i Policisë së Zonës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.