Disa hotele në Sarandë janë bllokuar pasi nuk kanë paguar detyrimet përkatëse ndaj shtetit. Një veprim i tillë është marrë në kuadër të aksionit kundër informalitetit, i cili ka nisur në muajin gusht dhe në fokus të tij është zona bregdetare. Lajmi është dhënë nga kryeministri Edi Rama, ku bashkangjitur njoftimit të tij, ku thekson se ky aksion është përshkallëzuar, ka publikuar edhe hotelet përkatëse ndaj të cilave i është vendosur shiriti “Bllokuar hetimi tatimor”. Kreu i qeverisë thekson se këto biznese ishin abuzues përsëritës.
“Përshkallëzohet goditja ndaj informalitetit në zonën e Sarandës, ku një numër i konsiderueshëm subjektesh janë regjistruar, duke paguar detyrimet përkatëse ndaj shtetit dhe një numëri jo të vogël abuzuesish përsëritës, u është bllokuar aktiviteti. Kontrollet vijojnë intensivisht me fokus mbi zonën bregdetare, sektorin e naftës dhe mallrat e tjera të akcizës me ZeroTolerancëndaj abuzuesve”, shkruan Rama.