Monika Kryemadhi: Do rrethojmë parlamentin çdo seancë derisa Rama të ikë


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Monika Kryemadhi deklaroi sot para protestuesve të thirrur nga opozita se parlament i cili sot është krenaria e Edi Ramës është dhe do të jetë gjithë jetën turp i shqiptarëve. Ajo tha se opozita zgjodhi të ishte si populli dhe të dilte në shesh si qytetarët.

Kryemadhi deklaroi se deputetët e maxhorancës nuk janë përfaqësues të popullit por të Avdylajve, Bajrave, Habilajve dhe kriminelëve. Ajo paralajmëroi se sa herë të ketë seancë parlamenti do rrethohet nga protestuesit.

“Hajdutët kanë frikë dhe sot frikacakët përdhosën për të disatën herë selinë e Kuvendit, selinë e atij Kuvendi ku për hir të së vërtetës parlamentarët nuk kanë frikë nga populli i tyre, por përkundrazi, e përfaqësojnë atë. Ata sot treguan edhe njëherë që nuk janë përfaqësues të popullit. Ata treguan edhe njëherë që janë përfaqësues të Avdylajve, Bajrave, Habilajve dhe kriminelëve, që jo vetëm vodhën, kërcënuan shqiptarët, por edhe i varfëruan ata. Ai Parlament ku sot kanë më shumë se katër orë që janë ngujuar deputetët nga frika, sot tregon edhe njëherë që është parlamenti që punon vetëm për pesë veta. Ai parlament sot tregoi edhe njëherë që në thelbin e zemrës së tyre nuk ekziston respekti dhe dashuria për votuesit e tyre socialistë, por ekziston vetëm dashuria për Vangjushin dhe për gjithë kriminelët e tjerë, që përdorën paratë e drogës për të bërë Edi Ramën kryeministër të Narkoshtetit”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo theksoi se nuk ngelet gjë tjetër për të thënë, veçse Rama ik.

Fenomeni i Edi Ramës është një fenomen i cili nuk duhet ta shikojë më sytë e shqiptarëve në qindra dhe mijëra vjet. Një fenomen që shkatërroi Shqipërinë, të ardhmen e shqiptarëve, që largoi 400 mijë shqiptarë nga Shqipëria, që largoi djemtë dhe vajzat, që shkatërroi dhe varfëroi ekonominë shqiptare për të pasuruar vetëm pesë njerëz. Një fenomen që i ka kthyer shkollat shqiptare në vende nga më të tmerrshme të abuzimit dhe të mungesës së sistemit arsimor. Prandaj çdo fjalë e jona këtu është e tepërt, por për një gjë jam e sigurt. Ai parlament i cili sot është krenaria e Edi Ramës është dhe do të jetë gjithë jetën turp i shqiptarëve. Do të jetë turp i shqiptarëve, ashtu siç kanë qenë vendimet më të turpshme që herë pas herë ka pasur në historinë e Shqipërisë dhe i kanë kushtuar asaj. I kanë kushtuar për lirinë dhe demokracinë e saj”, tha kryetarja e LSI-së.

Ajo iu drejtuar edhe socialistëve të ndershëm, që sipas saj sot vuajnë njësoj si protestuesit. “Janë papunë, kanë falimentuar bizneset e tyre nga taksat e larta, u janë larguar fëmijët e tyre në emigracion për një vend pune më të mirë, për të gjithë ato nëna dhe baballarë, të gjithë ata shqiptarë të cilët ndjejnë çdo ditë e më shumë mundësitë për të shkolluar e për t’i rritur fëmijët e tyre e kanë çdo ditë e më të pakët. Prandaj sot prezenca jonë nuk është vetëm për sot. Por do të jetë çdo ditë. Do të jetë çdo ditë dhe në çdo moment, që ajo seli e parlamentit e cila në çdo moment ka qenë foltorja e fjalës së lirë në këto 27 vjet, nuk do të jetë e lirë nga rrethimi që populli do t’i bëjë asaj, sa herë që ata do të duan të bëjnë seancat e krimit të organizuar në atë parlament”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së u shpreh se sot më shumë se kurrë misioni i politikës është që të largojë këtë fenomen vrasës të shpresës të shqiptarëve.

“Ky fenomen e ka emrin Edi Rama, por po ju them edhe një gjë tjetër. Ne zgjodhëm të ishim si ju, ne zgjodhëm të dilnim në shesh si ju, ne zgjodhëm të lëmë çdo gjë për të treguar që Edi Rama është vetëm dhe sot ai është vetëm. Edhe pse ka disa deputetë aty brenda, pjesën më të madhe i ka kundra. Sepse nuk ka as burrë, e as grua në atë sallë, të cilët do të marrin mbi supet e tyre dhe mbiemrin e tyre për fëmijët e tyre, turpin e tradhtisë, në shërbëtorë dhe argat të krimit të organizuar, kur në fakt duhet të jenë shërbëtorë të popullit të tyre”, tha Kryemadhi para protestuesve.