Rrënimet e banesave monument kulture në Gjirokastër tregojnë sipas specialistëve se deri tani nuk ka qenë në vëmendjen e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës. Specialistët e trashëgimisë pohojnë se në këtë situatë ku ministria nuk po mundet të bëjë projekte që të shpëtojë qendrën historike duhet që këshilli i ministrave të krijojë një komitet të emergjencave. Muzeumologu dhe arkeologu i njohur Moikom Zeqo tregon se duhet të jetë ky komitet që duhet të kthejë vëmendjen në Gjirokastër. Në intervistën për “SOT” Moikom Zeqo i cili është një nga zërat në mbrojtje të qendrës historike duke mos pranuar shkatërrimin e saj, thekson se deri më sot nuk ka ekzistuar një plan emergjencash në Ministrinë e Kulturës. Ai shprehet se rrënimet vijojnë dhe nuk shikon të bëhet gjë për Gjirokastrën. Sipas tij nuk janë vetëm shirat probleme, Gjirokastra kërkon projekte të shumëfishta për të mos humbur identitetin dhe për të forcuar karakterin e saj historik.