Mitsotakis kundër emigrantëve. A preken shqiptarët në Greqi?


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Kryeministri i ri konservator i Greqisë duket se ka konfirmuar zërat për ndjekjen e një politike anti-emigracionit, tani që Demokracia e Re ka fituar një mandat katërvjeçar për të udhëhequr vendin fqinj. Kyriakos Mitsotakis është i bindur se Greqia, ekonomia më e madhe në Ballkan, duhet të ketë fjalën kryesore kur bie fjala tek politikat europiane për emigracionin dhe për mbrojtjen e kufijve, duke ndjekur kështu një polikë të ngjashme më atë të koalicionit populist në Itali. Në një intervistë me rrjetin televiziv britanik BBC, ai është zotuar ta “bëjë Greqinë madhështore sërish”, duke shqetësuar jo pak ekspertë të emigracionit për ndjekjen e politikave populiste që janë përhapur kohët e fundit nga SHBA-ja në Europë dhe kanë në qendër të tyre emigrantët.

Në një prej mbledhjeve të para pas betimit të qeverisë së tij, Mitsotakis ka qenë në Ministrinë e Rendit për të diskutuar mbi sigurinë dhe emigracionin. Po atë ditë ai ka vendosur të shkrijë Ministrinë e Emigracionit, duke e kaluar këtë digaster nën Ministrinë e Rendit.

Ashtu si edhe në Itali, edhe në Greqinë fqinjë, emigrantët dhe politikat rreth tyre kanë përbërë gjithnjë bazën e konfrontimeve midis partive më të mëdha të sistemit, duke bërë që emigrantët të shohin me frikë ardhjen e Demokracisë së Re në pushtet. Që papara se të vinte në pushtet, Mitsotsakis ishte betuar të transferonte Ministrinë e Migracionit, të themeluar nga SYRIZA, tek Ministria e Mbrojtjes së Qytetarëve. Duke zgjedhur rrugën më të shpejtë, vendimi për shkrirjen e ministrisë u botua në Gazetën Zyrtare mesnatën e së hënës, pa u diskutuar në parlamentin e ri grek.

Konservatorët grekë, si në pozitë ashtu si në opozitë, janë shprehur kundër mbërritjes së emigrantëve në vend si nga Lindja, kundërshtim që duket se u fuqizua pas ardhjes nga Shqipëria të rreth 1 milion emigrantëve në fillim të viteve ’90 dhe u kthye në një platformë të vërtetë politike pas mbërritjes së mijërave refugjatëve nga Lindja e Mesme.

Këto politika ka të ngjarë të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në rrugën që do të marrin marrëdhëniet Tiranë-Athinë për shkak të emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në vendin fqinj. Deri më tani, zëra kritikë nga opozita e majtë thonë se qeveria Mitsotakis do të bëjë të pamundurën të vonojë sa më shumë dhënien e nënshtetësive greke një proces që gjatë viteve është provuar se ka qenë i gjatë dhe i lodhshëm.

Megjithëse jetëshkurtër, qeveria e socialistëve e Papandreut në vitin 2009 krijoi një bazë për politikën e emigracionit që do ta zbatonte në një masë më të madhe se çdo qeveri në 30 vitet e fundit, ajo e kryeministrit Tsipras. Për herë të parë numri i shqiptarëve që kanë marrë nënshtetësi është rritur ndjeshëm duke shkuar në gati 20% të atyre që jetojnë në vendin fqinj.

Vendimi për transformimin e Ministrisë së Emigracionit ia ka lënë tanimë në dorë politikat që lidhen me emigrantët, Michalis Chrysochoidis-it, i cili shërbeu si ministër i Rendit Publik me PASOK dhe riemërua në këtë pozicion nga konservatorët të hënën.

“Transferimi i Ministrisë së Emigracionit është tregues se qeveria e re do të ndjekë emigracionin si një çështje delikuence dhe jo si një krizë humanitare. Nuk ekziston një praktikë e tillë në vendet e tjera evropiane,” tha ministrja në largim e Mbrojtjes së Qytetarëve Olga Gerovasili përpara shtypit. Chrysochoidis u përgjigj duke thënë se edhe “në Itali, Francë, Portugali, Spanjë, në Evropën Jugore, politika e emigracionit është në duart e Ministrisë së Brendshme”.

Fuqizimi i “Agimit të Artë” duke u kthyer partinë e tretë më të madhe në vend, e shtyu në të kaluarën Demokracinë e Re të propozonte disa politika shumë të djathta kur binte fjala tek emigrimi. Disa përkrahës të mëdhenj të “Agimit të Artë” mund të kenë qenë gjithashtu të tërhequr nga Demokracia e Re me premtimin e saj për kontroll më të fortë të emigracionit dhe sigurinë kufitare.

Mbajta e këtij premtimi do të kërkojë bashkëpunim të mëtejshëm me BE-në dhe vendet fqinje të Greqisë, duke marrë parasysh pikëpamjet aktuale mbi emigracionin në Europë dhe ato të partive simotra të Demokracisë së Re në BE, të cilat janë bërë gjithnjë e më konservatore kur është fjala për politikën kufitare. Në këtë mënyrë, emigracioni paraqet një mundësinë të artë që Greqia të ketë më shumë ndikimin në hartimin e politikave të BE-së.

Mitsotakis flet si kryeministër
Mitsotakis ka folur për herë të parë si kryeministër në një intervistë televizive për BBC. Ai shpalosi idetë dhe planin e tij për ta bërë Greqinë ‘madhështore përsëri’, duke ndjekur kështu një taktikë të ngjashme të atë të presidentit amerikan Donald Trump.

Ai shprehet se ekonomia në Greqi do të rritet nëpërmjet rritjes së pagave, domosdoshmërisht asaj bazë. Për rritjen e mirëqënies së grekëve qeveria duhet të reduktojë shpenzimet e ‘kota’. Gjithashtu Mitsotakis nuk ngurroi t’i qëndrojë besnik premtimit të tij për heqjen e taksave personale dhe koorporatave të mëdha në Greqi.

Megjtihatë, pavarësisht premtimeve të fushatës, ai ka deklaruar se ai nuk ka “shkop magjik”, por ka një plan që lidhet me drejtësinë sociale. “Do të sigurohem që paga bazë të rritet sa më shpejt. Kështu që ata që jetojnë me pagën bazë, të gëzojnë më shumë përfitime nga përmirësimi i kushteve ekonomike”, tha Mitsotakis për BBC.

Mitsotakis tha se qeveria e tij është gati që ta sjellë Greqinë përsëri në rrugën e rritjes ekonomike. “Ajo që dua të siguroj është se rritja ekonomike do të ndahet në mënyrë të drejtë. Për mua kjo është sfida më e madhe me të cilën do të përballemi”, u shpreh kryeministri i sapozgjedhur.

Po ashtu si premtoi se ulja e para e taksave dhe tatimeve për bizneset do të bëhet në 1 janar të vitit 2020. “Qeveria jonë synon të kontrollojë menaxhimin efektiv të shtetit dhe të zvogëlojë shpenzimet e panevojshme kudo që të jetë e mundur. Dhe, për më tepër, një ekonomi që rritet me një normë prej 4% në vit sjell më shumë para në fondet publike se sa nëse lëviz me 2%. Është e thjeshtë”, tha Mistotakis.

Mitsotakis u vu në siklet nga gazetarja e BBC, kur ajo e pyeti për politikat gjinore, duke shprehur habinë se përse në kabinetin e tij qeveritar me 21 ministra, ka vetëm dy gra. Mitsotakis u mundua të justifikohej me një përgjigje të pakuptimtë, duke thënë se nuk kishte mjaftueshëm gra të interesuara për të qenë pjesë e kabinetit të tij qeveritar.

Gazetarja shprehu sërish habi duke i thënë se si është e mundur diçka e tillë në një vend të madh si Greqia. Kryeministri e gjeti justifikimin tek fakti se në listat e kandidatëve për deputetë ishte përcaktuar me ligj që 40% e tyre të ishin për femrat. Dy ministret e vetme të gjinisë femërore në kabinetin e qeverisë Mitsotakis janë Ministrja për Kulturën dhe Sportin, Lina Mendoni dhe ajo për Edukimin dhe Çështjet Fetare, Niki Keramues.(Gazeta Si)