Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi ishte në Lushnje ku vizitoi nga afër një prej pikave të grumbullimit dhe serrave të kompanisë ‘Doni Fruits’, e cila për vitin 2018 ishte kompania e parë për eksportet e prodhimeve bujqësore Made in Albania me një volum prej 16 mijë tonë. Fillimisht ministri u ndal tek serra e kultivuar me pjepër, e cila pritet të jetë nga të parat në vend që do të marrë çertifikimin e Global G.A.P.
‘Pjeprin e parë të këtij sezoni e provova në Lushnje tek ferma e cila pritet të çertifikohet nga Global G.A.P, institucioni më kredibël për standardet e cilësisë.😊 Kishte një shije fantastike.😋 Kjo serrë është pjesë e rrjetit të fermave të ‘Doni Fruits’, eksportuesit më të madh të prodhimeve bujqësore shqiptare gjatë vitit të kaluar. 👉Çertifikimi nga Global G.A.P i fermave dhe forcimi i pikave të grumbullmit garantojnë cilësinë dhe shitjen e prodhimeve bujqësore.✅ Grumbulluesi ka një rol kyç tek fermeri pasi duke i siguruar atij tregun e prodhimit bujqësor i imponon cilësinë.✍️, thotë Çuçi.
Në vijim Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u ndal tek pika e grumbullimit prej nga ku nisen për çdo ditë kamionët me perime në Europë. Domatja vijon të jetë ende në krye të eksporteve të prodhimeve tona bujqësore. Në katër muajt e parë të këtij viti eksporti i domates Made in Albania është rritur me 96% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Synimi i kompanisë ‘Doni Fruits’ për këtë vit është të rrisë eksportet nga 16 në 25 mijë ton.
“Qeveria i ka vënë një theks të veçantë forcimit të pikave të grumbullimit sepse garantojnë tregun. Duke garantuar shitjen, edhe fermeri mbjell pa asnjë merak sepse me kontratat që bën me pikat e grumbullimit nuk i ngelet prodhimi. Grumbulluesi nga ana tjetër ka rol shumë të madh në disiplimimin dhe rritjen e cilësisë sepse duke i siguruar fermerit shitjen e prodhimit i imponon atij edhe cilësinë”, tha ministri Çuçi.