Laçi rikthehet te golat dhe fitorja. Kurbinasit nuk e nisën mirë në Kamëz, por ata rikthehen gjithmonë. Sidomos në kupë, aty ku duan ti shkojnë deri në fund. Ndeshja e parë është e rëndësishme dhe djemtë e Mezanit kryen çdo detyrë. Shënuan tri herë, por edhe nuk pësuan. Tekniku vlonjat është i kënaqur, por kualifikimi vjen në Gjirokastër. Këtë bardhezinjtë e dinë të gjithë dhe Mezani e shpjegon akoma më mirë. Shtubina dhe Eskerda ndihmuan shumë, por duhet përqëndrim dhe agresivitet. Gjithmonë, në të dyja frontet. Kampionat dhe Kupë, edhe pse në ato anë preferojnë gjithmonë të dytën.
KUALIFIKIMI “Duhet të qëndrojmë me objektivin që duhet të kalojmë këtë tur. Bëmë mirë sot, por kualifikimi nuk është arritur. Kemi hedhur një hap, duhet të mendojmë njëlloj edhe për ndeshjen tjetër. Ishte e rëndësishme të reagonim pas humbjes me Kamzën. U kam kërkuar djemve ta zgjidhnim këtu dhe kjo ishte shumë e rëndësishme. Atje do jetë sërish një ndeshje e luftuar”, Mezani flet për “SuperSport”.
SHTUBINA “Shtubina është lojtar me eksperiencë dhe e kemi afruar se luan në disa pozicione. Është ndihmë e madhe për ne. Luan kudo dhe jep maksimumin. Sot rezultoi pozitive, uroj që të rezultojë kështu gjithmonë. Kur ke një skuadër me lojtarë me eksperiencë, të gërshetuar me lojtarë të rinj, gjërat shkojnë mirë.”
NDRYSHIMI “Sot kam kërkuar të jenë më shumë agresiv dhe të përqendruar. Ndëshkohemi në fillim dhe punuam për këtë. Duhet një skuadër më tepër agresive, vërtetë luajmë futboll, por duan edhe armë të tjera, pasi edhe kundërshtarët luajnë futboll. Përqendrimi dhe agresiviteti ishin ndryshimi, si dhe rikthimi i Eskerdës na ndihmoi.”
EUROPA “E kam thënë që e afërt Europa është me anë të Kupës. Por përsëri kjo është e vështirë, nuk e duam vetëm ne. Edhe Luftëtari nuk mendoj se do neglizhojë ndeshjen tjetër, do bëjnë luftën e tyre.”