Presidenti Ilir Meta duket se nuk do të heqë dorë nga 13 Tetori, data të cilën ai ka dekretuar për të mbajtur zgjedhjet lokale, pasi çdekretoi 30 qershorin.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta i ka drejtuar një mesazh mazhorancës dhe opozitës, në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE, ndërsa thekson se “nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën: në një anë atë të kapjes së çdo institucioni, çdo zyre dhe çdo vendi pune, dhe atë të delegjitimimit të çdo institucioni nga ana tjetër.”.
Më tej, kreu i shtetit rithekson qëndrimin e tij, që në 13 tetor të mbahen zgjedhjet lokale, parlamentare dhe presidenciale së bashku.
“Të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 tetor.”-shkruan Meta.
Postimi i plotë:
Koha që të mos mbetemi edhe në vjeshtë!
Të dashur qytetarë,
30 qershori iku si një datë e përbashkët vetëm kalendarike. Përpara kemi një datë tepër të rëndësishme, për ne dhe të ardhmen e vendit tonë, 17-18 tetor 2019, kur Këshilli i Bashkimit Europian do të marrë një vendim për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë.
Ndaj nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën: në një anë atë të kapjes së çdo institucioni, çdo zyre dhe çdo vendi pune, dhe atë të delegjitimimit të çdo institucioni nga ana tjetër.
Të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 tetor.
KOHA ËSHTË TANI!
Në 19 tetor do të jetë shumë vonë!/