Në një shkrim me titull “Shqipëria në prag të konfliktit civil”, media greke “Protothema”, shkruan se Edi Rama po e çon vendin drejt humnerës me kokfortësinë e tij.
“Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë duket se ka udhëhequr politikën shqiptarë në humnerë. Opozita dhe mijëra shqiptarë kanë protestuar, herë pas here në demonstrata të dhunshme dhe një reagim të ashpër nga ana e policisë së shtetit.
Ata kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie kalimtare e cila do të sjellë rend në vend dhe do të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqiptarët janë të frikësuar. Ndërsa 30 qershor po afrohet, vendi po i afrohet një konflikti civil.
Arroganca dhe kokëfortësia e Edi Ramës mund të kenë efekte dhe pasoja serioze për vendin, i cili aktualisht nuk ka sistem efektiv gjyqësor, parlament legjitim dhe pa dialog politik.
Ilir Meta, presidenti i Shqipërisë, po bën thirrje për reflektim dhe dialog dhe përgjegjësi nga qeveria dhe partitë politike, por situata ende duket kaotike”, shkruan “Protothema”.
“Duket se një konflikt i tillë serioz ka të njëjtin autor dhe zgjidhje: Edi Rama. Një njeri e ka çuar vendin në krizë dhe duket se ai mund të jetë zgjidhja qoftë duke dhënë dorëheqjen ose duke lejuar një qeveri kalimtare.
Në ditën e zgjedhjeve, në 5000 qendra zgjedhore, secila e ruajtur nga vetëm dy oficerë policie për shkak të kapacitetit të kufizuar të policisë shtetërore shqiptare, kaosi dhe dhuna do të ndezin një flakë që do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për t’u përmbajtur dhe vendi mund të hyjë në një konflikt serioz civil që mund të ndikojë në vendet fqinje”, shkruan më tej “Protothema”, që si foto të shkrimet ka disa protestues me simbole islamike.
Nuk dihet pse është zgjedhur kjo foto, pasi ajo nuk është nga protestat e opozitës në Tiranës, po me shumë gjasë e shqiptarëve të Maqedonisë.