Ditën e sotme në fshatin Bularat të Gjirokastrës do të zhvillohet ceremonia e varrimit të ekstremistit grek të vrarë pas një shkëmbimi zjarri me forcat RENEA, Konstandinos Kaçifas.
35-vjeçari do të varroset rreth orës 13:00 i veshur me rroba ushtarake, ndërsa në varrimin e tij, pritet të marrin pjesë rreth 2 mijë grekë që do të vijnë në Bularat për të nderuar figurën e Kaçifas. Mesha para varrimit të tij do të mbahet nga peshkopi i Gjirokastrës në kishën e fshatit, ndërsa bashkia e Dropullit ka shprehur dëshirën që të paguajë shpenzimet e ceremonisë.
Gjatë natës në pikën kufitare të Kakavijës një fugon i mbushur me persona me bluza të zeza ku shkruhej Vorio Epir nuk u lejua të futej në Shqipëri. Ndër personat që nuk u lejuan të hynin ishte edhe ish-deputeti Harallmbos Karathanos, i cili u kthye mbrapsht pasi kishte me vete simbole të Vorio Epirit.
Sipas mediave greke, rreth 2 mijë persona janë nisur drejt Shqipërisë për të marrë pjesë në funeral, por autoritetet shqiptare në pikën kufitare të Kakavijës kanë ngritur pretekste nga më të ndryshmet për t’i penguar grekët që të marrin pjesë në funeralin e Kaçifas.
Ministria e Jashtme i ka bërë thirrje përfaqësuesve të sindikatave grek në Shqipëri që të ndërhyjnë tek autoritet shqiptare në mënyrë që ato të mos i pengojnë më mbështetasit e Kaçifas për të marrë pjesë në varrimin e ekstremistit grek. Ndërsa Agimi i Artë ka paralajmëruar se do të ketë një përgjigje për vrasjen e Kaçifas.
Trupi i pajetë i minoritarit grek ndodhej prej 11 ditësh në morgun e QSUT-së, pas kërkesës së familjarëve për një ekspertizë mjeko-ligjore në Tiranë, pasi nuk i besonin asaj të Gjirokastrës.
Konstantinos Kacifa u vra nga RENEA, pasi qëlloi me breshëri mbi policinë. Ai nuk pranoi të dorëzohej dhe për këtë arsye RENEA e qëlloi. Kacifa njihej si ekstremist grek dhe ishte pjesë e grupeve nacionaliste-ekstremiste greke.
Pas vrasjes, familja pati pretendime për trupin e të riut, dhe akuzoi RENEA-n se fillimisht e kishte plagosur dhe më pas e kishte vrarë. Por, pasi pa trupin, avokati pranoi se i riu nuk ishte vrarë nga afër por nga larg.