ArgjiroLajm.net sjell të tjera foto dhe detaje nga operacioni i policisë në jug të vendit, ku u arrestua një shtetas italian, i cili kishte fshehur në autokamperin e tij një sasi të madhe droge. Sikundër kemi raportuar më herët, bëhet fjalë për plot 383 kg kanabis, si dhe 96 kg në formë çokollate. Burime nga grupi hetimor thonë se autokamperi është ndaluar në Qafën e Gjashtës. Agjentët dyshonin se ai kishte fshehur drogë, prandaj e shoqëruan automjetin në pikën kufitare të Kakavijës për ta kaluar në skaner. Pas verifikimeve rezultoi se në tavanin e mjetit ishte fshehur droga, sikundër duket në fotot ekskluzive që sjell ArgjiroLajm.net. Shtetasi italian Vito Baruceli, 36 vjec, ka qenë i shoqëruar edhe nga një femër. Ata u arrestuan të dy nga policia. Të dhënat e para flasin edhe për përfshirje të agjentëve italianë të Guardia di Finanzas në këtë operacion. Ishin ata që i dhanë informacionin autoriteteve shqiptare. Deri më tani s’ka ende një reagim nga Policia e Shtetit.
© ArgjiroLajm.net