Tre mijë mësues, të cilët i kanë mbaruar studimet në vitet 90, në Institutet pedagogjike “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, rrezikojnë të mbeten të papunë. Bëhet fjalë për mësues që kanë rreth 30 vjet eksperiencë dhe që kanë nxjerrë breza të tërë nxënësish. Të gjithë këta mbajnë titullin “Mësues”, por Ministria e Arsimit i ka regjistruar me sistemin e Bolonjës, dhe tashmë kërkon t’i testojë duke përdorur ‘kërcënimin” për uljen e pagave. Në Ligjin numër 80/2015 për Arsimin e Lartë parashikohet, që të gjitha diplomat e studimeve universitare, që kanë zgjatur të paktën 3 vite akademike (6 semestra) do të jenë ekuivalente me diplomat “Bachelor”.
Ndërsa për diplomat e studimeve universitare, që kanë zgjatur 4 vite akademike, ose e thënë ndryshe, janë zhvilluar në 8 semestra, ekuivalentohen në diploma të nivelit të dytë, “Master i Shkencave”. Kështu mësuesve që kanë mbaruar trevjeçare nuk u njihet masteri, por me atyre që kanë mbaruar katërvjeçaren, u quhet masteri shkencor.
Në fakt edhe me mësuesve me trevjeçare duhej, të paktën duhej t’u njihej masteri profesional, pasi studimet e tyre kanë përfunduar para se të miratohej Ligji numër 80/2015 për Arsimin e Lartë, ashtu sikurse ata që kanë mbaruar katërvjeçaren. Por, Ministria e Arsimit ka zgjedhur të veprojë ndryshe, pasi për personelin mësimdhënës, që kanë mbaruar një shkollë pedagogjike ose shkollë tjetër të profilizuar për mësuesi, mund të bëhen trajnime për përditësimimin e dijeve që lidhen me profesionin, por jo mos t’u njihet masteri i nivelit të parë./CNA.al