Luftëtarin e ndajnë 4 pikë nga historia…

Pesë pikët diferencë me Laçin dhe Partizanin e bëjnë Luftëtarin të ndihet disi më komod për tri javët e fundit të kampionatit. Europa është vetëm një hap larg dhe ç’është me rëndësishme, gjirokastritët e kanë gjithçka vetë në dorë, nuk varen nga askush në llogaritë për të shkuar në Europa League. 

Ekipit të trajnerit Hasan Lika i duhen edhe 4 pikë nga 9 të mundshme në ndeshjet me Kukësin dhe Lushnjën në transfertë, dhe Skënderbeun në Gjirokastër. Plotësisht të mundshme për t’u marrë, por sigurisht që asgjë nuk i duhet lënë rastësisë dhe të gjithë në kampin gjirokastritët janë të impenjuar për t’i siguruar sa më parë 4 pikët. Edhe në rast barazimi me pikë me Laçin apo Partizanin, Luftëtari është ai që del i fituar, sepse favorizohet nga rezultatet e ndeshjeve direkte.

Për ndeshjen e nesërme në Kukës, gjirokastriteve u mjafton pika, pra mjafton të mos humbasin. Më pas u mbeten edhe 3 pikë, që mund t’i sigurojnë me Skënderbeun në fushën e tyre, pasi korçarët tashmë e kanë realizuar objektivin. Nëse nuk ndodh kjo, është edhe shansi i fundit në Lushnjë, por në fund gjithçka mund të ndodhë dhe te Luftëtari nuk duan ta lënë për javën e fundit. Për ndeshjen në Kukës trajneri Lika nuk ka të gatshëm mesfushorin Rroca për arsye kartonësh, por edhe dëmtimi.