Luftëtari, shterpësia e pakuptueshme e sulmit

Golat e tij në Gjirokastër kanë përherë aromën e pikëve. Pas dy fazave të para të shkëlqyera ku shënoi 6 herë dhe për më tepër bindi gjithë kritikët për aftësitë e tij, Reginaldo duket se a humbur disi ashtu si i gjithë Luftëtari në pjesën e dytë të sezonit. 26-vjeçari nuk arrin ta gjejë rrugën e rrjetës që nga minuta e 5 e ndeshjes Luftëtari-Kukësi. Që prej atij momenti, errësitë totale, bomberi nga Mozambiku u shua dalëngadalë me radhë në 6 ndeshjet e tjera duke mos e gjetur asnjëherë rrugën e rrjetës.

Është ai njeriu i majës së sulmit bluzi ku filtrohen të gjithë topat dhe shterpësia në repartin e avancuar të gjirokastritëve po penalizon jo pak skuaderën e MIlinkovic që kishte bërë llogaritë për të dalë me 6 pikë nga sfidat direkte me Laçin dhe Vllazninë. Me një teknikë të lartë por edhe përgatitje të madhe fizike, Reginaldo u konfirmua menjëherë lider në repartin e paparashikueshëm të Luftëtarit, por tashmë situata ndryshon sepse golat e tij janë oksigjen i munguar për gjirokastritët që rrezikojnë të mbyten pasi ndërtuan një sezon mbi pritshmëritë. Të njëjtën situatë po kalon edhe sulmuesi i krahut të majtë, Dejvi Bregu.

5 golat sezonalë janë stopuar që në sfidën kundër Korabit dhe pjesa tjetër është shumë nervozizëm. Vetë lojtari vlonjat nuk duket në humor dhe aspak në harmoni me skuadrën. Muaji i mjaltit me Luftëtarin duket larg sepse rezultatet poshtë pritshmërive kanë peshuar në moralin e të gjithë grupit. Në Durrës, Luftëtari do të luajë një tjetër finale por këtë herë pa Reginaldon që do të mungojë për shkak kartonësh dhe trajneri serb ka paralajmëruar ndryshime të rëndësishme në formacion. Sfida ndaj “Djemve të Detit” do të jetë vendimtare jo vetëm për pikët në lojë sepse mbi të gjitha do të heqë shumë pikëpyetje nëse Luftëtari di të luajë futboll të bukur edhe pa yjet e tij./ss

Leave a Reply

Your email address will not be published.