Luftëtari i kishte dhe i ka ende reale shanset për të qenë në Kupat e Europës në fund të sezonit. Skuadra gjirokastrite luan një futboll shumë të bukur dhe të shpejtë, por gjithë dilema ishte, nëse do ta përballonte apo jo ky ekip presionin e një objektivi madhor, që kërkon mentalitetin e duhur. Shumë prej titullarëve më parë janë shprehur optimistë, edhe pse kanë pranuar se mbetet për t’u parë si do të sillet skuadra në javët e fundit të kampionatit. Barazimi me Teutën ishte një tronditje e lehtë në këtë drejtim, duke ditur që ishte një ndeshje shtëpiake dhe në llogaritë e drejtuesve të Luftëtarit mungojnë dy pikë.
Këta të fundit janë dukur të zhgënjyer pas ndeshjes, sepse prisnin që Luftëtari të fitonte dhe të afrohej edhe më shumë me Europën. Përpara është ndeshja me Laçin, që gjithashtu luhet në Gjirokastër, ku shpresohet që barazimi me Teutën të mos i ketë goditur psikologjikisht futbollistët.
Gjirokastritët krijuan raste edhe në ndeshjen e fundit me durrsakët, ishin pa fat në rastin e traversës së Bregut, por duhej të kishin treguar më shumë pjekuri për ta zgjidhur atë 90-minutësh në favorin e tyre. Duhet pranuar së në të tilla situata ka të bëjë shumë përvoja, që Luftëtari nuk e ka të mjaftueshme, por edhe mentalitetit, sepse për kualitetin është e qartë se ekipi e ka. Do të ishte mëkat që kjo skuadër të mos shkonte në Europë, pasi e meriton, por tashmë stafi teknik dhe ai drejtues kanë detyrën e vështirë ta motivojnë grupin e futbollistëve si duhet për të shkuar te rezultatet që duhen. Bregu, Abazaj dhe të tjerët duhet ta tregojnë vetën edhe në këtë moment delikat.