Kategoria Superiore e këtij sezoni dominohet nga Partizani dhe Kukësi që mbajnë vendet e para në renditje me respektivisht 37 dhe 34 pikë. Natyrisht, në garë për titull janë dhe Teuta (33 pikë), Laçi e Skënderbeu me nga 30 pikë, si dhe Flamurtari me 28 pikë. Por dy të parat kanë dëshmuar se kanë qëndrueshmëri dhe kapacitete të mjaftueshme për të bërë blerje dhe për pasojë janë favorite për titullin. Kurse në grupin e mbijetesës përfshihen katër skuadra që janë Tirana (17 pikë, Luftëtari (17 pikë), Kamza 15 pikë dhe Kastrioti me 10 pikë.
Të gjitha kanë probleme dhe në këtë merkato dimri nuk kanë bërë lëvizje bindëse që mund të bëjnë diferencë në lojë e rezultate. Sidomos gjirokastritët priteshin të bënin kthesën e madhe pas shitjes së Eduard Rrocës dhe Vasil Shkurtajt që u blenë nga Kukësi, por sërish nuk ka sinjale që mund të përmirësojnë pozitat e tyre. Edhe pse në gjirin e klubit deklarojnë se situata do të përmirësohet dhe se do të hyjnë fuqishëm në treg, ende nuk ka ndonjë lëvizje konkrete afruese përveç ish-sulmuesit të Partizanit e Skënderbeut, Realdo Fili.
Pra në Gjirokastër ka një paqartësi në lidhje me të ardhmen, paqartësi që ka nxitur dhe vetë trajnerin Gentian Mezani të shohë mundësinë e largimit. Nuk kuptohet nëse kjo lëvizje e trajnerit është më shumë një presion ndaj klubit që të bëjnë blerje cilësore në treg, apo ngaqë situata në Gjirokastër nuk është premtuese. Pranohet dhe në mediat sportive online që klubi i Gjirokastrës nuk po gjen qetësi.
Thuhet se Luftëtari është në kaos. U duk se gjirokastritët lanë pas problemet e së shkuarës, ku rezultatet e fundvitit u shoqëruan me premtimet për rregullimin e situatës si dhe lëvizjet në merkato. Megjithatë, jo gjithçka shkon ashtu sië duhet. Sikur të mos mjaftojë hetimi i UEFA-s për ndeshjet e Europa League, tashmë skuadra nuk po kryen fazën përgatitore. Vendimi i drejtuesve për të qëndruar në Gjirokastër në këtë periudhë të vështirë ka penalizuar stafin dhe futbollistët, të cilët janë mbyllur në palestër. I ftohti i madh, por edhe terreni i fortë kanë bërë që trajneri Gentian Mezani të ketë në dispozicion më pak se gjysmën e ekipit, duke ndezur sinjalet e alarmit te bluzinjtë.
Madje, burime pranë vetë trajnerit vlonjat bëjnë të ditur se në këto kushte timonieri i Luftëtarit po mendon largimin nga skuadra, që nuk ka zhvilluar as gjysmën e seancave stërvitore të programuara deri më tani. Kjo është një tjetër faturë dështimi e drejtuesve, që nuk arritën të siguronin të paktën një fazë përgatitore në një qytet më të ngrohtë në Shqipëri, por vendosën të qëndronin në shtëpi, aty ku kushtet e motit janë tepër të vështira. Pikërisht kjo situatë ka vënë në dyshime edhe trajnerin Mezani për të vijuar më tej punën me ekipin të cilin arriti në pak javë ta ngjiste nga vendi i fundit drejt zonës së sigurt të mbijetesës.
Në fakt, situata nuk lidhet me motin e egër dimëror sesa me mungesën e parave. Është fakt që klubet e Superiores përfitojnë një fond solidariteti që shkon deri në 55 mijë euro në vit nga UEFA, por përveç kësaj shume, Luftëtari duhej të merrte mbi 200 mijë euro nga UEFA për pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Por këto para nuk janë lëvruar për shkak se komisionet disiplinore të qeverisë europiane të futbollit e kanë përfshirë Luftëtarin në hetime intensive për trukim ndeshjesh.
Pra skuadra gjirokastrite rrezikon të ketë fatin e Skënderbeut, i cili është penalizuar me 10 vjet nga UEFA për manipulimin e ndeshjeve dhe çështja është tani në Gjykatën Sportive të Lozanës. E thënë ndryshe, kriza e Luftëtarit lidhet me financat dhe kjo është arsyeja e vërtetë që lojtarët nuk dalin në stërvitje. Ata nuk kanë më garanci që do të paguhen rregullisht. Gjithsesi, mbetet që vetë klubi gjirokastrit të sqarojë pozitat e tij, si në lidhje me lojtarët, ashtu dhe me trajnerin Gentian Mezani.