Trajneri i Luftëtarit, Gentian Mezani ishte shumë i zhgënjyer me faktin që skuadra doli pa pikë nga sfida me Kukësin dhe për mikrofonat e “Supersport” pas ndeshjes, u shpreh:
“Më vjen keq sepse ishte një pikë që na vlente deri në ato momente, duke parë dhe të kuqin. Nuk bëmë aq sa duhej për ta marrë atë pikë dhe humbëm pak edhe nga lodhja. Pjesën e dytë luajtëm me 10 lojtarë dhe mos përqendrimi në momentet e fundit, pësuam përsëri.
Gabimet? Kur je në këtë pozicion, lodhja dhe presioni janë bashkë dhe rrisin nervozizmin. Jam munduar të flas këtë javë pasi po ndëshkohemi nga gabime individuale dhe duhet të bëjmë më shumë për të marrë më shumë. Nuk mund të vendosim faj pasi kur fitojmë, fitojmë bashkë, por edhe humbasin bashkë.
Në momentin që futa një lojtar mbrojtës, pësova gol pasi deri atëherë nuk po pësoja. Nuk pësova për shkak të Rapës, por në momentin e fundit mendova të fus mbrojtësit që kisha në pankinë për të mbrojtur rezultatin dhe nuk ja arritëm. Na duhet pak më shumë besim, pasi ky nuk është Luftëtari që mund të humbasë në Gjirokastër pasi kemi pasur raste edhe kur ishim me 10 lojtarë.
Lodhja? Mendoj se kemi më shumë lodhje psikologjike pasi kemi filluar që në qershor, por nuk është ky fajtori. Është një nga arsyet, por një tjetër është edhe tensioni që kemi gjatë lojës. Kjo ka qenë një arsye dhe duke analizuar ndeshjen mund të kemi konkluzione të tjera.
Merkatoja? Nuk kam folur asnjëherë për merkato dhe kjo nuk është arsye që lojtarët të kenë frikë. Të gjithë ato që janë sot, kanë një kontratë. Unë e kam shprehur se kam lojtarë të mirë. Kemi edhe 3 ndeshje dhe do të bëjmë bilancet tona. Do të shohim ku kemi arritur me këta që kemi dhe objektivin final. Kemi lojtarë që mund të japin më shumë. Të vjen keq të humbasësh në Gjirokastër, unë edhe barazimin e quaj humbje këtu, ndërsa humbja është më e trishtueshme”- u shpreh Mezani.