Luftëtari në Europë, Ramadani dhe Liçaj flasin për ndeshjen e parë kundër Ventspils


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Është muaji i Botërorit dhe festa e futbollit është e pranishme anekënd botës. Përjashtim nga ky rregull nuk bën as Gjirokastra, e cila këtë verë ka një arsye më shumë për t’iu dorëzuar emocioneve të sportit më të dashur në planet. Luftëtari ka nisur përgatitjet për debutimin historik në kompeticionet e UEFA-s, me shpresën që mrekullia e treguar në kampionat dy edicionet e fundit të vijojë edhe në Europë. Behar Ramadani dhe Lejdi Liçaj, dy nga veteranët e skuadrës, jo për moshën sesa për vitet e aktivizimit me luftëtarin, shtojnë dozat e optimizmit për këtë aventurë të re.

Ramadani: Atmosfera është e mirë, pushimet zgjatën pak për ne këtë verë, pasi do të luajmë në Europë. Po bëhemi gati që të bëjmë paraqitje të mirë me shrpesën për të kaluar turin e parë.

Licaj: Jemi gati, nga grupi është larguar vetëm Abazaj dhe jam i bindur që do të bëjmë mirë.

Shorti i Europa League-s është treguar bujar për Luftëtarin, pasi Ventspils nuk shihet si një mision i pamundur, edhe pse letonezët duhen respektuar në fushën e lojës në mënyrë që të evitohen surprizat e pakëndshme.

Ramadani: Kundërshtarin për momentin nuk e njohim mirë, por stafi ka ndjekur atje ndeshjen e kampionatit. Pas miqësoreve mund të flasim me siguri se ku jemi, por unë dhe i gjithë grupi do të japim maksimumin.

Liçaj: Jam i bindur që do të bëjmë mirë. Kundërshtari nuk është i fortë, por ka eksperiencë, pasi ka 6 pjesëmarrje në Europë. Megjithatë, ne e njohim shumë mirë njëri-tjetrin dhe shpresojmë të kalojmë më tej.

Kryefjala në Gjirokastër ka qenë rikthimi i Dejvi Bregut për sfidat e Europa League-s. Goditja e merkatos që shton akoma më shumë adrenalinën jo vetëm në skuadër.

Ramadani: Nuk jemi gëzuar vetëm ne për bregun por i gjithë qyteti, për njeriun që është dhe cilësitë si futbollist.

Liçaj: Bregu nuk na duket si rikthim, ndërsa Abazaj mund të cilësohet si një mungesë e madhe. Është afruar një futbollist serb, por kemi pak kohë në dispozicion për t’u harmonizuar.