Kanë kaluar 10 ditë nga mbyllja e sezonit dhe Luftëtari vazhdon të jetë në “ajër”. Trajner nuk ka dhe afrime jo e jo, e megjithatë në siklet janë edhe lojtarët që mbyllën sezonin. Madje, jo vetëm ata që janë pa kontratë, por edhe të tjerët që kanë marrëveshje edhe për sezonin tjetër.
Në këtë listë është edhe mesfushori Donald Rapo, një nga pikat më të forta të bluzinjve në 3 sezonet e fundit. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ai zbulon se ka oferta, çka do të thotë që një largim nuk do të ishte çudi.
“Kemi kurorëzuar një sezon të suksesshëm, po të kemi parasysh startin negativ. Humbëm shumë pikë në dy fazat e para. Lëvizjet në staf dhe merkatoja e janarit, ndryshuan klimën dhe atmosferën në skuadër. Me trajnerin Julian Ahmataj u rikthye fryma e grupit dhe e besimit. Si gjithë shokët e skuadrës, dhe unë personalisht besoj se kam dhënë më të mirën në planin individual. Sezoni i mbyllur është i treti me Luftëtarin. Me modesti ju them se do ta konsideroja sezonin më të mirë me fanellën e Luftëtarit. Kam shënuar pesë gola këtë sezon dhe për mua ka qenë një nga kampionatet më të mira në Gjirokastër. Ndihem mirë për këtë arritje”, tha fillimisht 28-vjeçari.
“Mëngjarashi” gjatë eksperiencës në Gjirokastër i ka provuar që të gjitha rolet, nga mbrojtja, mesfusha dhe sulmi, duke qenë një “xhol” për të gjithë trajnerët që ka bashkëpunuar. Gjithsesi, Rapo nuk kërkon të nxitohet kur flitet për të ardhmen, teksa shprehet: “Kam dhe një vit kontratë me Luftëtarin dhe kemi kohën e duhur për të ulur në bisedime me drejtuesit. Do të diskutojmë për gjithçka dhe mandej do të vendos. Ofertat nuk më kanë munguar, si nga skuadrat shqiptare dhe nga Kosova. Pas bisedimeve do vendosen pikat mbi ‘i’”, përfundoi mesfushori, autor i 5 golave me bluzinjtë.