Trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika, mendon se ishte meritë e plotë e mbrojtjes dhe e portierit që skuadra doli me tri pikë nga stadiumi i Durrësit. Pas fitores ndaj Teutës, në “Gol pas Goli” ai deklaroi se situata të veçanta ndikuan që ndeshja të ishte e hapur deri në fund.
Për fitoren e sotme
“Mendoj se goli që shënuam që në fillim, pas avantazhit, futbollistët filluan të mendonin më shumë për mbrojtjen. Gabuam në ato momente si te i dyti, ishim më fat në të dytën. Zhvilluam ndeshje të mirë, por kur Liçaj doli me të kuq gjërat u komplikaun. Por për meritë të portierit dhe mbrojtjes e fituam ndeshjen”.
Për penalltinë e pjesës së parë
“Pësuam penallti për një goditje nga mbrapa kundërshtarit. Nuk i pyeta futbollistët nëse ishte, por u thashë të ishin të kujdesshëm, sepse kundërshtari na rrezikoi në goditjet standarte, se ashtu erdhën të dy golat. Më pas u treguam më të kujdesshëm”.
Për faktin që nuk u mbyll ndeshja nga lojtarët e tij
“Të dyja skuadrat kërkonin ta fitonin ndeshjen, aq më tepër duke kaluar dy herë në avantazh. Mendonim se ishim psikologjikisht mirë për ta fituar, kishim ardhur edhe për barazimin se është kundërshtar direkt. Edhe kundërshtari u zgjat, ne duhej të ishim trgeuar më të kujdesshëm për ta kapur në befasi, kemi gabuar, sidomos me rastin e Abazajt që mund të shënonte të tretin. Por terreni ishte shumë i vështirë, lojtarët rrëshqitnin në fushë, duhen përgëzuar për shpirtin e garës në ndeshje”.
Për rivalitetin në kampionat
“Janë të gjitha skuadra të forta, të gjithë mund të arrijnë rezultate pozitive ndaj njëri-tjetrit, pavarësisht pozicioneve në klasifikim. Nuk janë rezultate të çuditshme, por rezultate futbollistike”.