Luftëtari nuk ka dalë sot në stërvitje, për shkak se të tri fushat ku përgatitet gjatë sezonit kanë qenë të mbuluar nga dëbora. Alternativa për të kryer seancën e sotme stërvitore ka qenë vetëm pallati i sportit, i cili është i mbuluar, por duke qenë se ekipi u stërvit atje edhe ditën e djeshme, lojtarët kanë shfaqur ankesa për shkak të kontraktimeve muskulore.
Situatën e ka sqaruar për “Panorama Sport” vetë trajneri Mezani. “Është e vërtetë që sot ekipi nuk është stërvitur. Kjo nuk është diçka e mirë, por kemi qenë të detyruar për shkak se të gjitha terrenet kanë qenë të mbuluara me dëborë.
Kam folur me drejtuesit e klubit dhe më kanë dhënë garanci që nga nesër, do të vazhdojmë normalisht stërvitjen në një nga fushat ku jemi stërvitur gjithnjë. Shpresojmë që pavarësisht vështirësive të shumta për tu stërvitur për shkak të motit, t’i marrim maksimumin kësaj minifazë dhe të jemi gati për ndeshjen e kampionatit ndaj Kastriotit”.
I pyetur nëse ka menduar edhe largimin nga klubi pas kësaj situate, trajneri e mohoi këtë duke theksuar se puna do të vazhdojë normalisht pavarësisht problemeve që ka pasur ekipi.