Luftëtari kërkon të surprizojë Partizanin, ja ‘asi nën mëngë’ i trajnerit Mezani

Luftëtari do të luajë sot në orën 17:00 me skuadrën e Partizanit në stadiumin “Selman Stërmasi. Trajneri i Luftëtarit, ndihet disi më i “ngrohtë” nga sfidat e tjera, sepse do të ketë gati edhe liderin e skuadrës në sezonin e shkuar, mesfushorin fantazist Eduard Rroca. Ky i fundit ka qenë edhe një nga pikat e forta të bluzinjve në dy vitet e fundit në Superiore. 

Rroca, nuk dihet nëse do e nisë që nga minuta e parë, apo do të hidhet në fushën e dytë, megjithatë, duket se trajneri bluzi është optimist, ndryshe nga takimet e tjera, ku ka pasur shumë mungesa. Me përjashtim të Jakovjljeviçit dhe Aleksit që do të jenë gati vetëm në janar, pjesa tjetër e skuadrës gjirokastrite është e plotë.

Luftëtari sot do të kërkojë që të mos dalë pa pikë nga kryeqyteti, ndonëse edhe vetë bluzinjtë e kanë të qartë se luajnë një nga ndeshjet më të vështira, me skuadrën që kryeson Superioren dhe është në formën më të mirë.