Luftëtari arriti të mundë për herë të parë Teutën në këtë kampionat dhe kështu i largohet gjithmonë e më shumë zonës së rënies. Ekipi gjirokastrit gëzon një formë shumë të mirë dhe në këtë moment nuk njeh kundërshtarë. Fitorja në Durrës ishte rezultati i shtatë radhazi pozitiv për ekipin e trajnerit Hasan Lika. Në 7 ndeshjet e fundit në kampionat gjiroakstritët nuk njohin humbje, por më e veçanta është se 3 fitore i kanë marrë në transfertë, në Kamzë, Kukës dhe Durrës. Në Gjirokastër kanë mundur Partizanin dhe Skënderbeun kryesues, si dhe kanë barazuar me Flamurtarin, ndërkohë që kanë edhe një barazim me Lushnjën në transfertë. Luftëtari është ekipi që ka marrë më shumë pikë në javët e fundit dhe me këtë ritëm duket se po ecën i sigurt drejt kateve të sipërme të renditjes.